VMRO-DPMNE: Do të fitonim mbi 60 deputetë nëse nesër mbaheshin zgjedhje parlamentare

VMRO-DPMNE: Do të fitonim mbi 60 deputetë nëse nesër mbaheshin zgjedhje parlamentare

Qytetarët kanë zgjedhur rrugën e zhvillimit dhe rritjes – kështu u shpreh VMRO-DPMNE në një komunikatë për media, duke theksuar se rezultatet e zgjedhjeve lokale konfirmojnë mbështetjen e gjerë për partinë. Sipas tyre, nëse nesër do të mbaheshin zgjedhje parlamentare, VMRO-DPMNE do të siguronte mbi 60 mandate në Kuvend.

“VMRO-DPMNE është fituese absolute e zgjedhjeve lokale me 550 këshilltarë në të gjithë Maqedoninë dhe në qytetin e Shkupit, si dhe me mbi 300 mijë vota të fituara. Sipas modelit të D’Hondt-it, këto rezultate përkthehen në më shumë se 60 deputetë nëse do të mbaheshin zgjedhje parlamentare,” thuhet në kumtesën e partisë.

Ata shtojnë se LSDM ka pësuar një rënie të ndjeshme të mbështetjes krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

“LSDM ka humbur mbi 111.000 vota në krahasim me vitin 2021. Kjo humbje reflekton qartë mosbesimin e qytetarëve ndaj politikave të gabuara, qeverisjes së paaftë dhe kuadrove joprofesionale të kësaj partie,” vijon deklarata.

Sipas VMRO-DPMNE-së, në disa njësi zgjedhore LSDM ka rënë në vendin e tretë, ndërsa në disa komuna dhe vetë në qytetin e Shkupit është renditur edhe në vendin e katërt apo të pestë.

“Populli e ndëshkoi LSDM-në. Koha e punës, përgjegjësisë dhe rezultateve vazhdon – falënderim për të gjithë ata që bënë zgjedhjen e duhur,” përfundon komunikata.

MARKETING