VLEN vendos kufij ndaj bixhozit: Kazinotë larg shkollave dhe ndalim reklamave
VLEN ka deklaruar se për vite me radhë industria e bixhozit ka pasur ndikim të madh në jetën e përditshme të qytetarëve, duke theksuar se pasojat më të mëdha i kanë pësuar familjet në të gjitha komunitetet.
Sipas tyre, situata po ndryshon me qeverisjen aktuale, ndërsa masat e reja ligjore për lojërat e fatit synojnë kufizimin e kësaj industrie dhe mbrojtjen e të rinjve.
VLEN thekson se propozim-ligji i miratuar parasheh masa më të ashpra ndaj lojërave të fatit, përfshirë zhvendosjen e kazinove dhe pikave të lojërave elektronike në një distancë prej 500 metrash nga shkollat, ndalimin e reklamave që promovojnë bixhozin si stil jetese, si dhe kufizimin e përdorimit të figurave publike në promovime të tilla.
Po ashtu, sipas VLEN, deri më tani janë mbyllur 358 platforma ilegale online të lojërave të fatit.
VLEN vlerëson se këto masa përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt rregullimit të sektorit dhe mbrojtjes së familjes dhe të rinjve nga pasojat e varësisë ndaj bixhozit.

