VLEN: Takimi Fetai–Lawton konfirmon mbështetjen e fortë të SHBA-ve për reformat
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Arben Fetai, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Daniel J. Lawton, zëvendës-ndihmës sekretar në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, ku mori konfirmimin e qartë të mbështetjes së fuqishme amerikane për procesin e reformave në Maqedoninë e Veriut.
Sipas kumtesës zyrtare, bashkëbisedimi u fokusua në përparimin e qeverisë në fushat e qeverisjes së mirë, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara vlerësuan seriozitetin dhe vullnetin institucional të vendit për rikthimin e besimit te qytetarët dhe forcimin e standardeve demokratike.
Në kuadër të vizitës, Fetai zhvilloi takime edhe me përfaqësues të tjerë të administratës amerikane, përfshirë Mark Tervakoskin, drejtor të Zyrës për Evropë dhe Azi në Byronë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit. Roli i tij u vlerësua si thelbësor për avancimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në vend.
Zëvendëskryeministri Fetai theksoi në takime se Qeveria mbetet e përkushtuar për të ndërtuar institucione që i shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave të ngushta, duke nënvizuar se premtimi për ndryshim po merr formë konkrete.
“VLEN-i ka premtuar ndryshim – dhe ndryshimi po ndodh, me punë, integritet dhe vendosmëri”, përfundon kumtesa.

