VLEN: Sulmi ndaj Naser Selmanit është sulm ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes

VLEN: Sulmi ndaj Naser Selmanit është sulm ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes

Koalicioni në pushtet, VLEN, ka reaguar ashpër ndaj sulmit të fundit ndaj gazetarit të njohur Naser Selmani, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të papranueshëm dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe themeleve të demokracisë në vend.

Në një deklaratë për media, VLEN shpreh “shqetësimin më të thellë dhe indinjatën e plotë” për atë që e quan sulm jo vetëm ndaj një gazetari, por ndaj të drejtës së qytetarëve për informim të lirë dhe të pandikuar”.

“Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj shoqërisë, ndaj institucioneve dhe ndaj sundimit të ligjit. Çdo tentativë për të frikësuar, shantazhuar apo penguar punën profesionale të mediave është kërcënim serioz për të drejtat themelore të qytetarëve,” thuhet në reagimin e koalicionit.

VLEN i ka bërë thirrje organeve kompetente që të veprojnë menjëherë, duke kërkuar hetim të shpejtë, transparent dhe nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë. “Çdo vonesë është bashkëfajësi”, thekson më tej deklarata.

Koalicioni gjithashtu kërkon që institucionet të garantojnë mbrojtje të plotë për gazetarët dhe të krijojnë një klimë ku puna e tyre të zhvillohet lirshëm, pa presione dhe pa kërcënime.

Në fund të deklaratës, VLEN shpreh solidaritet të plotë me gazetarin Naser Selmani, duke e cilësuar lirinë e medias si një “gur themeli të çdo shoqërie demokratike” që duhet mbrojtur me çdo kusht. “VLEN në mbrojtje të lirisë, kundër dhunës dhe frikësimit!” përfundon reagimi zyrtar.

MARKETING