VLEN: Pesë ditë heshtje nga BDI për lidhjet e Bujar Osmanit me Beogradin

Koalicioni VLEN vazhdon me akuza në drejtim të kandidatit të BDI-së për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani. Nga VLEN thonë se “kanë kaluar pesë ditë që nga parashtrimi publik i pyetjeve drejtuar Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), por kjo parti vazhdon të hesht”.
“Pesë ditë pa përgjigje nga BDI: Sa dhe çfarë takimesh ka zhvilluar Bujar Osmani me përfaqësues të autoriteteve serbe? Sa herë ka udhëtuar në mënyrë private në Serbi, pa e informuar opinionin publik? Pse gjithë kjo heshtje nga një subjekt politik që pretendon të jetë “mbrojtës” i kursit euroatlantik dhe i interesave të shqiptarëve? A nuk është pikërisht kjo heshtje një konfirmim i gjithçkaje që është thënë deri më tani?”.
“E pyesim publikisht Bujar Osmanin: A ka nisur tashmë bashkëpunimin me strategët e komunikimit të Aleksandar Vuçiqit? A do të vazhdojë bashkëpunimin me PR-strategët që i kishte edhe qeveria e kaluar LSDM-BDI? A do të ketë ende mbështetje nga Beogradi, ashtu siç ka pasur edhe më parë? A po ndërtohen ende aleanca në prapaskenë me Beogradin, ndërsa në publik shfaqet “patriotizëm” i rremë?”, thonë nga VLEN.
Më tej thonë se “BDI ka ndërtuar diplomaci me Beogradin, jo me Prishtinën”.
“11 takime me autoritetet serbe, 0 me ata kosovare. BDI është fotografuar me Vuçiqin, jo me Kurtin. Ka ardhur koha për përgjigje. Ka ardhur koha për transparencë. Shqiptarët nuk meritojnë të udhëhiqen nga figura që krijojnë lidhje të fshehta me qendra pushteti që injorojnë interesat tona kombëtare”, thonë nga VLEN.