VLEN: Përfaqësimi i drejtë bëhet ligj, jo fasadë për nepotizmin e BDI-së!

VLEN: Përfaqësimi i drejtë bëhet ligj, jo fasadë për nepotizmin e BDI-së!

Pas më shumë se dy dekadash zvarritje, neglizhencë dhe bllokada politike, Qeveria e udhëhequr nga Koalicioni Shqiptar në pushtet (VLEN), ka miratuar më në fund Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, një akt që konsiderohet si një nga ndryshimet më të rëndësishme ligjore në drejtim të barazisë qytetare në institucionet publike.

Ky ligj, i cili ka qenë i paraparë që nga viti 2003, ishte sistematikisht larguar nga agjenda shtetërore përmes marrëveshjeve të fshehta, interesave klanore dhe kalkulimeve politike të partive që deri më tani kanë qenë në pushtet. Për më shumë se 20 vite, përfaqësimi i drejtë është përdorur si një slogan bosh, ndërsa në praktikë është shndërruar në mjet për punësime klienteliste dhe ndarje të resurseve publike sipas interesave partiake.

VLEN thekson se kjo qasje ka përfunduar. Me miratimin e këtij ligji, çdo institucion publik do të jetë ligjërisht i detyruar të zbatojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat sipas përbërjes etnike të popullsisë, duke ndalur kështu padrejtësitë strukturore që kanë lënë pas për vite me radhë komunitetet e nënpërfaqësuara, në veçanti shqiptarët.

Për të garantuar zbatimin efektiv të këtij ligji, do të krijohet një Trup Koordinues Qeveritar, i udhëhequr nga Zëvendëskryeministri, i cili do të ketë detyrë të mbikëqyrë, monitorojë dhe raportojë mbi përputhshmërinë e institucioneve me këtë standard të ri ligjor. Brenda gjashtë muajve, të gjitha ligjet sektoriale do të harmonizohen me këtë ligj, duke e bërë barazinë dhe drejtësinë institucionale një standard funksional dhe të matshëm.

Dallimi mes të kaluarës dhe të tashmes

Në deklaratën e saj, VLEN e ka bërë të qartë se ky veprim shënon një dallim të madh midis mënyrës se si është qeverisur më parë nga BDI (tani ribranduar si Aleanca e Koalicionit të Interesave – AKI) dhe mënyrës së tanishme të udhëheqjes.

“Ata i përdorën institucionet për të pasuruar veten dhe rrethin e tyre, ne po i përdorim për të sjellë barazi dhe drejtësi. Ata ndryshuan Kodin Penal për të shpëtuar të korruptuarit e vet, ne po ndryshojmë ligjet për të garantuar përfaqësimin e drejtë të të gjithëve,” – thuhet në njoftim. Gjithashtu, Koalicioni e cilëson si gabim të rëndë përkrahjen e projekteve rajonale si Ballkani i Hapur, të cilat – sipas tyre – kanë cenuar interesat strategjike të shqiptarëve dhe janë përdorur për të legjitimuar bashkëpunimin me struktura të korruptuara.

Në vend të tyre, Qeveria aktuale synon të zbatojë standarde evropiane, barazi ligjore dhe një administratë publike të hapur dhe funksionale për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike apo politike.

MARKETING