VLEN: Në Ditën e Alfabetit, bashkë me Kurtin për gjuhën, shqiptarët dhe të ardhmen tonë!
Me ftesë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua sot në Shkup me kryeparlamentarin Afrim Gashi dhe drejtuesit e koalicionit VLEN, në një ditë me simbolikë të veçantë për shqiptarët – Ditën e Alfabetit.
Takimi u zhvillua para manifestimit qendror në Manastir, aty ku 115 vite më parë kuvendarët e Kongresit të Manastirit vendosën për alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe. Sipas përfaqësuesve të VLEN-it, ky përvjetor përbën një moment të rëndësishëm reflektimi mbi sakrificën, vendosmërinë dhe vizionin e atyre që vunë themelet e arsimit dhe kulturës kombëtare shqiptare.
Në kumtesë theksohet se Dita e Alfabetit mbetet një ndër ngjarjet më themeltare të historisë shqiptare, ndërsa Kongresi i Manastirit konsiderohet si pikë kthese që i hapi rrugë emancipimit dhe zhvillimit kombëtar.
Gjatë takimit, drejtuesit e VLEN-it dhe Kryeministri Kurti kanë uruar njëri-tjetrin për fitoret në zgjedhjet lokale në të dy vendet, duke i cilësuar ato si konfirmim të besimit të qytetarëve në vizionet e reja politike.
Palët po ashtu janë zotuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke e orientuar atë drejt prosperitetit, zhvillimit dhe proceseve integruese.

