VLEN: Mos ikni, jepni përgjigje-pse Bujar Osmani ka realizuar takime të shpeshta me të gjithë funksionarët serbë?

BDI nuk mund të paraqitet si mbrojtëse e kursit euroatlantik të shtetit, pasi ka shumë pyetje të dyshimta të pa pergjigjura pas saj.
BDI nuk ka shpjeguar pse ministri Bujar Osmani ka mbajtur 11 takime me shefin e diplomacisë së Serbisë, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë iniciativë zyrtare me Kosovën?
BDI nuk tregon, madje shmang pyetjen se: në sa dreka, darka dhe “shëtitje miqësore” kanë marrë pjesë personalisht Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani me presidentin serb Aleksandar Vuçiq?
BDI nuk ka dhënë asnjëherë sqarim për sa herë Osmani është takuar me ambasadorin serb në Shkup, dhe përse nuk e ka informuar publikun për këto takime?
BDI i detyrohet opinionit publik përgjigje për udhëtimet private të Osmanit në Serbi dhe përse qytetarët nuk janë informuar kurrë për to.
Derisa BDI nuk jep përgjigje të qarta për këto çështje, të mos mendojnë se dikush iu beson dhe i sheh ndryshe nga ajo që është realisht: një parti e futur në listën e zezë të partnerëve tanë strategjikë.
Duhet të kujtojmë se ishte pikërisht BDI ajo që shtyu përpara iniciativën “Ballkani i Hapur” si formë integrimi me Serbinë, duke anashkaluar bashkëpunimin me Kosovën.
Është e njëjta BDI që e shpalli “sukses historik” hapjen e korsisë së shpejtë në kufirin me Serbinë, por nuk bëri asnjë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën në pikat kufitare me Kosovën, si në Bllacë dhe Jazhincë apo me Shqipërinë në Qafë Thanë.
Po ashtu, BDI mori pjesë në ndërtimin e autostradave nga Tabanovci drejt Gjevgjelisë, ndërkohë që nuk ndërtoi as edhe një kilometër autostradë në korridorin 8.
BDI dëshiron të paraqitet si “mbrojtëse” e interesave të shqiptarëve, por veprimet e saj tregojnë të kundërtën: një numër i madh takimesh me autoritetet serbe, përhapje të ideve serbe, bashkëpunim të ngushtë me Serbinë dhe injorim të thellë të bashkëpunimit me Kosovën.
Integrimi evropian nuk mbrohet me diplomaci selektive. Nëse Osmani nuk ka kohë për Prishtinën, nuk ka as kredibilitet të flasë për “botën serbe”.
Patriotizmi i vërtetë matet me kilometra autostradë, jo me selfie-diplomaci me Vuçiqin. Shqiptarët meritojnë transparencë, çdo takim zyrtar apo privat me Beogradin duhet të bëhet publik.
Derisa kjo të ndodhë, çdo reagim nga ana e tyre është vetëm një përpjekje për të hedhur mjegull mbi dështimet dhe përgjegjësitë e tyre.