VLEN: Korridorin 8 po e ndërtojmë për qytetarët, gjatë BDI-së asnjë km autostradë nuk u ndërtuar në Perëndim të Maqedonisë

Nga koalicioni VLEN kanë deklaruar se gjatë qeverisjes së BDI-së në Perëndim të Maqedonisë nuk u ndërtua asnjë kilometër autostradë.
Ja dhe reagimi i plotë:
“Qytetarët, shqiptarët, veçanërisht në Perëndim të Maqedonisë, e dinë mirë që nuk u ndërtua asgjë gjatë kohës kur BDI ishte në pushtet:
Zero kilometra autostradë të re në Perëndim të Maqedonisë. Për dy dekada u asfaltua drejt Kriva Pallankës, drejt Koçanit, u bë autostrada drejt Shtipit, u ndërtua rruga drejt Radovishit dhe Strumicës, si dhe u përfundua autostrada Shkup–Gjevgjeli, ndërsa trasetë drejt Kërçovës, Strugës dhe Gostivarit u lanë në pluhur dhe harresë.
Asgjë nuk u ndërtua gjatë kohës kur BDI ishte në pushtet.
Nuk u ndërtua as drejt Bllacës, as drejt Qafë-Thanës, nuk u ndërtua rruga Kërçovë–Strugë, rruga drejt Gostivarit mbeti në gjendje tragjike – gjithçka u ndal.
Në vend të eskavatorëve, shihnim vetëm shirita për prerje dhe konferenca shtypi për “fillime historike”. Populizëm i pastër.
Shihnim fotosesione në vend të punës reale.
Korridori 8 për dhjetë vjet u shndërrua në album Facebook-u për ministra, pa asnjë përparim konkret në terren.
BDI është në panik sepse sheh që Korridori 8 më në fund po ndërtohet.
Qytetarët tashmë do ta bëjnë dallimin.
Segmenti i parë i autostradës Kërçovë–Ohër (Vrban–Pesoçan) tashmë është lëshuar në përdorim dhe është kilometri i parë i ri i autostradës në Perëndim të Maqedonisë pas 30 vitesh premtime.
Nëse udhëtoni nga Tetova për në Strugë, do të shihni makina ndërtimi në çdo hap.
Nga Tetova deri në Strugë punohet çdo ditë me buldozerë, kamionë dhe baza asfaltimi që po i zëvendësojnë sesionet fotografike të BDI-së.
Mjaft me përvetësime.
Korridori 8 është projekt strategjik shtetëror, i financuar nga të gjithë taksapaguesit dhe i mbështetur nga partnerët euroatlantikë, jo nga arkët partiake.
Ju u fotografuat, ne po e ndërtojmë.
Qytetarët do të dinë ta vlerësojnë këtë.
Faktet flasin vetë:
Ndërkohë që ju fotografonit gurë, ne po lëvizim makineritë dhe kamionët e asfaltit.
Ka pluhur por këtë herë është nga puna, jo nga harresa.
Qytetarët nuk harrojnë.
20 vite bllokim në infrastrukturë nuk fshihen me një komunikatë dhe pak patetikë para kamerave.
VLEN do të vazhdojë ta shtyjë përpara ndërtimin e Korridorit 8 dhe të gjitha projektet që lidhin Perëndimin e Maqedonisë.
Koha e fillimeve të rreme ka përfunduar, ka nisur koha e kilometrave të vërtetë, urave të vërteta dhe zhvillimit të vërtetë ekonomik.