VLEN: Informojmë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë të mos bien pre e manipulimeve të BDI-së
Si koalicion faktorizues në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ndjejmë për obligim të informojmë publikun e gjerë në Kosovë e Shqipëri, por edhe në vendet tjera kudo që jetojnë shqiptarë. VLEN është duke bërë punë të dyfishtë, duke korrigjuar gabimet e BDI-së dhe duke përmbushur premtimet e zotimet nga fushata elektorale, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
“Ata që duhej ta rregullonin statusin e ushtarëve të UÇK-së, nuk e bënë.
Qytetarët e dinë dhe janë dëshmitarë se si BDI anashkaloi me vite të tëra statusin e ushtarëve të UÇK-së duke e vendosur si çështje të parëndësishme. Së pari, VLEN është duke punuar intenzivisht për të rregulluar çdo nevojë e kërkesë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Fatmirësisht, Blerim Ramadani, ushtar i UÇK-së e kishte lexuar me kohë skenarin e BDI-së. Logjistika kryesore për flijimin e Blerim Ramadanit ishte Islam Abazi i Zajazit, i cili vepronte me urdhër të Ali Ahmetit dhe Blerim Bexhetit. E kjo çështje u demaskua lehtësisht sepse u kuptua qartësisht, BDI ishte në gjendje ta bëjë “kurban” ushtarin e UÇK-së, për disa pikë të ulëta politike. Ata dështuan edhe kësaj radhe. Së dyti, derisa BDI me ngazëllim pranonte urata për zyrtarizmin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, ata tani po e përgënjeshtrojnë veten, sepse po rezulton që statusi i gjuhës shqipe akoma qenka i pa zgjidhur përfundimisht. Prandaj, uratat e falsifikuar nga manipulimet e maskuara po dalin në pah që zyrtarizmi i shqipes nuk paska qenë i vërtetë. Shqiptarët kudo që jetojnë duhet ta kenë të qartë se VLEN-i po punon pa ndalur që t’ia kthejë dinjitetin gjuhës shqipe edhe secilës çështje tjetër shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, besojmë se përpjekjet aktuale të BDI-së për të ikur nga përgjegjësia dhe llogaridhënia përmes krijimit të një atmosfere pasigurie mbesin jo vetëm jo serioze por edhe përpjekje të dështuara qysh në fillim.
VLEN mbetet fuqishëm e përkushtuar për ruajtjen e karakterit multietnik të shoqërisë dhe shtetit tonë, për respektimin dhe promovimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si dhe për forcimin e gjyqësorit si
shtyllë e pavarur e demokracisë. Apelojmë te të gjitha subjektet dhe institucionet politike, përfshirë BDI-në, që të tregojnë përgjegjësi dhe konstruktivitet në diskursin e tyre publik.
VLEN vazhdon të mbetet gardian i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!”, shkruan në komunikatën e partive shqiptare në pushtet.