VLEN: Gostivari foli me sallën plot, Nevzat Bejta, zëri i qytetit!
Koalicioni VLEN sonte mbajti një konventë promovuese në Gostivar, e cila u zhvillua në praninë e një numri të madh qytetarësh. Në aktivitet morën pjesë edhe drejtues të koalicionit si dhe përfaqësues të strukturave lokale.
Gjatë konventës u theksua se VLEN po hyn në fazën përmbyllëse të aktiviteteve të saj politike në prag të 11 janarit. Përfaqësuesit e koalicionit prezantuan qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimet politike në Komunën e Gostivarit dhe vlerësuan se qyteti ka nevojë për ndryshim në udhëheqje.
Në fjalimet e mbajtura, u përmendën kritika ndaj qeverisjes aktuale komunale, duke u theksuar se Gostivari përballet me sfida financiare dhe menaxheriale. Sipas VLEN-it, borxhi komunal dhe mungesa e projekteve zhvillimore janë disa nga çështjet kryesore që kërkojnë zgjidhje.
Koalicioni prezantoi Nevzat Bejtën si kandidat për kryetar komune, duke theksuar përvojën e tij të mëparshme në drejtimin e Gostivarit dhe njohjen e problematikave lokale.
Nga VLEN u theksua se qëllimi i tyre është zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit, përmirësimi i shërbimeve komunale dhe rritja e përgjegjshmërisë institucionale. Konventa përfundoi me mesazhin për angazhim qytetar dhe pjesëmarrje në proceset demokratike.

