VLEN: Erkan Arifi të përgjigjet se për çfarë po e heton Policia Financiare

Koalicioni VLEN shpreh shqetësimin e thellë për keqpërdorimet e shumta që, sipas të dhënave dhe indikacioneve, janë zhvilluar ndër vite në Komunën e Likovës nën drejtimin e Erkan Arifit. Kultura e pandëshkueshmërisë, pasurimi i shpejtë dhe i dyshimtë i individëve të lidhur me pushtetin vendor, si dhe dëmtimi i interesit publik, nuk mund të tolerohen më.
Sot, kur shteti i së drejtës ka filluar të funksionojë, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi.
Prandaj, VLEN i drejton disa pyetje publike kryetarit të Komunës së Likovës, z. Erkan Arifi:
A është e vërtetë që Policia Financiare ka ndërhyrë në Komunën e Likovës?
A janë marrë për shqyrtim dokumentacionet e disa tenderëve të zhvilluar nga komuna?
A jeni subjekt i hetimit për keqpërdorime të rënda financiare?
Në vend të deklaratave populiste dhe tentativave për të devijuar vëmendjen, qytetarët meritojnë përgjigje të qarta dhe transparente. Është koha që z. Arifi të sqarojë publikisht pse ka hyrë në radarët e Policisë Financiare dhe çfarë fshihet pas pasurimit të tij personal dhe familjar.
Nëse është e vërtetë që qytetarët e Likovës janë rrezikuar seriozisht nga ndotja me arsen – një akuzë tejet e rëndë – atëherë kjo çështje duhet të hetohet urgjentisht deri në fund dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Skemat korruptive që raportohen në Komunën e Likovës janë pasqyra më e qartë e mënyrës se si është ushtruar pushteti nga BDI për më shumë se dy dekada – si në nivel lokal ashtu edhe në atë shtetëror. Retorikat nacionaliste, kërcënimet me destabilizim apo fushatat me ngjyrim emocional nuk mund të fshehin të vërtetën: pushteti i tyre ka qenë i ndërtuar mbi klientelizëm, tenderë dhe shfrytëzim të resurseve publike.
Qytetarët shqiptarë e ndalën këtë model qeverisjeje në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Më 19 tetor, me votën e tyre, do të ndalin edhe plaçkitjen e pushtetit lokal.
Koalicioni VLEN është i vendosur që të çojë përpara procesin e përgjegjësisë dhe transparencës. Të gjithë ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe me fondet publike, do të përballen me drejtësinë.