VLEN dënon sulmin në Kumanovë: Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë

Koalicioni VLEN ka reaguar me shqetësim pas ngjarjes së ndodhur në qytetin e Kumanovës, ku është plagosur dr. Zekirja Shaini. Në një deklaratë zyrtare, VLEN ka shprehur keqardhje të thellë për incidentin dhe ka dënuar qartë çdo formë të dhunës.
“Shprehim keqardhje të thellë për ngjarjen që ka ndodhur në Kumanovë, ku është plagosur dr. Zekirja Shaini. Ne si koalicion dënojmë çdo formë të dhunës dhe apelojmë për qetësi, maturi dhe respektim të institucioneve kompetente për hetimin e rastit,” thuhet në reagimin e VLEN-it.
Koalicioni thekson se aktet e dhunës nuk kanë vend në një shoqëri të civilizuar dhe asnjë rrethanë nuk mund t’i justifikojë ato, veçanërisht kur rrezikohet jeta dhe siguria e qytetarëve.
“Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë aktet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.”
VLEN u ka bërë thirrje organeve të rendit që të hetojnë rastin në mënyrë të shpejtë dhe të pavarur, për të zbardhur motivet dhe autorët e këtij akti, duke u kërkuar njëkohësisht aktorëve politikë që të mos e keqpërdorin ngjarjen për qëllime politike.
“Apelojmë që raste të tilla të mos përdoren për qëllime politike, por të trajtohen me seriozitet institucional dhe përgjegjësi qytetare,” përfundon reagimi.