VLEN: BDI premtoi, por helmoi, ne mbyllim përgjithmonë deponinë e Nikushtakut!

VLEN: BDI premtoi, por helmoi, ne mbyllim përgjithmonë deponinë e Nikushtakut!

Në fshatin Nikushtak të komunës së Likovës ka nisur një aksion historik për mbylljen dhe sanimin e një prej deponive më të rrezikshme në vend – një problem i trashëguar që për dekada me radhë ka ndotur ajrin, tokën dhe ujin, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e mijëra qytetarëve.

Kjo deponi, e cila është identifikuar në Planin Kombëtar për Menaxhimin e Mbeturinave si një nga pikat më kritike për shëndetin publik dhe mjedisin, ka qëndruar në harresë për 24 vite me radhë. Pavarësisht premtimeve të shumta nga qeverisja e kaluar, zgjidhja ka munguar.

Ndryshimi ka ardhur përmes iniciativës së qeverisë së re, të udhëhequr nga koalicioni VLEN, i cili përmes Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar 5 milionë denarë nga buxheti i vitit 2025 për këtë projekt jetik. Përveç fondeve, janë vënë në dispozicion edhe pajisjet mekanike të nevojshme për të mbyllur përfundimisht këtë deponi ilegale. Projekti tashmë ka një elaborat të përgatitur gjeodetik dhe punimet në terren kanë filluar.

Ky aksion përfaqëson një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për banorët e Likovës, Nikushtakut, Haraçinës, Grushinës dhe Orllancës – zona që për vite me radhë kanë vuajtur pasojat e ndotjes së kësaj deponie.

“Ky është shembulli më i qartë se VLEN nuk premton, por vepron,” deklarojnë përfaqësues të koalicionit. “Brenda vetëm një viti kemi ndërmarrë hapa që nuk u bënë për më shumë se dy dekada. Ky është një ndryshim i vërtetë, i prekshëm dhe i pakthyeshëm.”

Aksioni për mbylljen e kësaj deponie nuk është vetëm një fitore për mjedisin, por edhe për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve të rajonit.

MARKETING