VLEN: BDI po plas pse Izet Mexhiti i shkuli nga Njësia Zgjedhore 1!

VLEN akuzon BDI-në për dështime të rënda politike dhe bashkëpunim me figura dhe projekte të afërta me interesat serbe, duke theksuar takimet me Gruevskin, përkrahjen për “Ballkanin e Hapur” dhe neglizhencën ndaj interesave shqiptare. Sipas VLEN, BDI po shpif dhe përhap lajme të rreme për të fshehur frikën nga humbja dhe reformën që VLEN po imponon.
“BDI dhe e vërteta janë të shkurorëzuara që moti, por më shumë se gjithçka i ka djegur momenti kur Izet Mexhiti shkuli Blerim Bexhetin, Artan “non grata” Grubin e Bujar Osmanin bashkë me gjithë garniturën e tyre nga Njësia Zgjedhore numër 1. Që atëherë, BDI ka humbur toruan dhe mundohet të mbulojë dështimin me shpifje, destabilizim e Fake News, por faktet janë kokëforta kundër tyre.
Fakt është se takimi i Bujar Osmanit me Nikolla Gruevskin e listës së zezë është i dokumentuar dhe nuk mund të fshihet me kumtesa të shkruara në kuzhinat e propagandës. Fakt është se automjeti i Ali Ahmetit u mbajt me orë të tëra në stacion policor për shkak të dyshimeve se ish-kryeministri Gruevski ishte nxjerrë nga shteti me të. Fakt është se përmes Daka Davidoviqit, BDI ishte gati t’ia falte Tetovën si pashallëk. Fakt është se Osmani e Grubi i dhanë nënshtetësi biznesmenit kontravers, të futur në listën e zezë amerikane, Aleksandar Onishçenko.
E njëjta logjikë e nënshtrimit e ndjek BDI-në edhe në skenën ndërkombëtare.
Fakt është se BDI u bë promotori kryesor i projektit serb “Ballkani i Hapur”, i kundërshtuar nga VLEN dhe Kosova si rrezik për shqiptarët. Fakt është se Bujar Osmani, si shef i OSBE-së, zhvilloi 11 takime në Beograd dhe asnjë në Prishtinë. Fakt është se ai dështoi në dënimin e sulmit terrorist të Banjskës, ndërsa plani i tij 9-pikësh për veriun e Mitrovicës u hartua në favor të Serbisë. Fakt është se Fatmir Besimi shtrëngonte duart me Shutanovacin e gjeneralin serb Ljubisha Dikoviq, të njohur për krime mbi shqiptarët.
Prandaj, çfarëdo që të shpifin sot për “botën serbe”, për zhbërjen e MO-së apo për referendumin e mbijetesës së tyre, e vërteta është një: BDI po plas nga fakti se VLEN në zgjedhjet lokale po ua imponon reformën që ata e kanë aq shumë frikë”, thonë nga VLEN.