VLEN: BDI në panik, shpif nga frika e humbjes

Partia VLEN ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) lidhur me çështjen e punësimeve të shqiptarëve në institucionet shtetërore. Në një komunikatë për media, VLEN akuzon BDI-në se po tenton të shmangë përgjegjësinë për dështimet e veta shumëvjeçare përmes shpifjeve dhe sulmeve politike.
“Opinioni është i vetëdijshëm se për mbi 20 vite qeverisje, BDI u përkujdes kryesisht për rehatimin e familjarëve të tyre në pozita të privilegjuara, ku pagat mujore janë shumëfish më të larta se mesatarja në vend,” thuhet në deklaratën e VLEN-it.
Sipas partisë, në vend që të japin llogari për mungesën e përfaqësimit real të shqiptarëve në administratën publike dhe për mungesën e vendeve të punës, përfaqësuesit e BDI-së zgjedhin të manipulojnë opinionin publik.
“Ata që mbajnë konferenca për media, më mirë le ta pyesin shefin e tyre, Bujar Osmani, pse po i mashtron. Le të sqarojë ku është e punësuar bashkëshortja e tij, e cila sipas informacioneve tona, përfiton mbi 100 mijë denarë në muaj – sa paga e katër administratorëve të zakonshëm, të cilët BDI i ka gënjyer për dy dekada,” vijon reagimi.
VLEN përmend edhe raste të tjera të nepotizmit, duke përfshirë edhe një familjare tjetër të ministrit Osmani. “Shqiptarët e dinë mirë se në ndërmarrjen M-NAV, motra e tij merr mbi 3 mijë euro në muaj – baraz me gjashtë paga të një administratori të thjeshtë.”
Partia paralajmëron publikimin e të dhënave të hollësishme mbi punësimet familjare të zyrtarëve të BDI-së gjatë dy dekadave të fundit, duke shtuar se kësaj radhe “do të publikohen me emra dhe mbiemra”.
Në fund, VLEN njofton se do të ndërmarrë hapa ligjorë për shpifje nëse BDI nuk kërkon falje publike.