VLEN: BDI e shndërruar në kompani private në shërbim të interesave serbe

Përfaqësuesi i koalicionit qeverisës VLEN, Bekim Fazliu, në një konferencë për shtyp ka bërë akuza të rënda ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe liderit të saj Ali Ahmeti, duke e cilësuar këtë subjekt si të përfshirë në një skemë të rrezikshme kriminale dhe financiare, që përfshin edhe ish-shefin e policisë sekrete Sasho Mijallkov dhe regjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Sipas Fazliut, vendi është përballë një skandali të përmasave të mëdha, i cili, siç theksoi ai, ka zbuluar fytyrën e vërtetë të BDI-së. “Kjo është afera më e madhe politiko-financiare në historinë më të re të vendit. Aferë që ua hoqi maskën plotësisht BDI-së dhe Ali Ahmetit,” deklaroi ai. Ai shtoi se heshtja e BDI-së është një pranim i qartë i fajësisë.
Fazliu publikoi dy fakte që, sipas tij, dëshmojnë një lidhje direkte ndërmjet familjes së Ali Ahmetit, strukturave kriminale dhe regjimeve që, siç tha ai, kanë punuar kundër interesave shqiptare.
Së pari, më 17 shtator 2025, kompania “AS Senjak”, që sipas Fazliut kontrollohet nga familja e Ali Ahmetit, ka shitur një pako të madhe aksionesh në Alta Bankën e Beogradit, e cila ndodhet nën kontroll të regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç. “Ndërkohë që flasin për patriotizëm, familja Ahmeti po shet interesa ekonomike të fituara mbi kurrizin e shqiptarëve dhe po fut ‘botën serbe’ në zemër të sistemit financiar të Maqedonisë,” deklaroi Fazliu.
Së dyti, ai zbuloi se të njëjtat aksione ishin blerë një vit më parë, më 24 tetor 2024, drejtpërdrejt nga Sasho Mijallkov, ish-shefi famëkeq i shërbimeve sekrete dhe figurë kyçe në represionin ndaj shqiptarëve. “Kjo tregon një marrëveshje të fshehtë dhe një qarkullim të parasë së pistë, ku përmes familjes Ahmeti, paratë e Mijallkovit përfundojnë në duart e Vuçiçit. Kjo nuk është biznes – është tradhti kombëtare,” theksoi ai.
Fazliu shprehu indinjatën e tij për mungesën e çdo reagimi publik nga ana e Ali Ahmetit dhe funksionarëve të tjerë të BDI-së. Ai theksoi se asnjë prej tyre nuk ka guxuar të dalë në publik për të mohuar apo sqaruar këtë marrëveshje të dyshimtë. “Ali Ahmeti hesht. Fshihet dhe mendon se e vërteta do të zhduket,” u shpreh Fazliu.
Ai kritikoi gjithashtu edhe figura të tjera politike shqiptare që, sipas tij, me heshtjen e tyre po bëhen bashkëfajtorë në këtë aferë, duke përmendur me emra Ziadin Selën dhe Arben Taravarin, të cilët më herët kanë qenë pjesë e koalicioneve me BDI-në. Fazliu pyeti nëse ata kanë qenë në dijeni për këto marrëveshje apo nëse i kanë pranuar në heshtje për interesa politike.VLEN, si pjesë e shumicës aktuale qeverisëse, kërkon përgjigje të qarta nga BDI dhe nga të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me të. Disa nga pyetjet publike të adresuara nga Fazliu përfshijnë:
Pse familja Ahmeti bleu aksione pikërisht nga Mijallkov?
Cila është natyra e kësaj lidhjeje dhe çfarë borxhi i shlyente Ali Ahmeti njeriut që i ka shtypur shqiptarët për vite?
Pse ato aksione iu shitën një banke të regjimit të Vuçiçit?
A është BDI ndërmjetës për pastrimin e kapitalit të boshtit Shkup–Beograd?
Çfarë përfitoi në këmbim Ali Ahmeti apo partia e tij?
Në përmbyllje të deklaratës së tij, Bekim Fazliu u shpreh:
“BDI nuk është më një parti e shqiptarëve. Është kthyer në një kompani private për pasurim personal dhe shërben si degë e interesave serbe në Maqedoni. Koha e gënjeshtrave ka mbaruar. Është koha e përgjegjësisë.”