VLEN: BDI e bllokoi rrugën drejt BE-së, ndërsa hapi rrugën drejt botës serbe

Koalicioni shqiptar në pushtet, VLEN, ka dalë me një njoftim të ashpër politik kundër Bashkimit Demokratik për Integrim, duke e akuzuar këtë parti për një histori të gjatë bashkëpunimi me forca që, sipas tyre, kanë vepruar kundër interesave shqiptare dhe kundër integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Në njoftim, VLEN kujton se BDI ka mbajtur në pushtet Nikolla Gruevskin për 10 vjet, duke i siguruar kuorumin dhe mbështetjen në momentet më kritike për regjimin e tij. Veçanërisht kritikë janë ndaj ministrit aktual Bujar Osmani, i cili, sipas tyre, ka zhvilluar 11 takime me udhëheqësinë shtetërore të Serbisë, por asnjëherë me përfaqësues të Kosovës.
“Nëse dikush ka hapur dyert për ‘Botën Serbe’, ajo është BDI,” thuhet në deklaratë, duke përmendur edhe votimin e Ligjit për Amnisti për Sasho Mijallkov dhe strukturën e tij, çka sipas VLEN-it i ka shpëtuar ata nga ndjekja penale.
Deklarata përmend gjithashtu kontaktet e vazhdueshme të BDI-së me Nikolla Gruevskin, përmes ministrit Osmani, i cili ka pranuar publikisht një takim me të arratisurin nga drejtësia.
VLEN akuzon po ashtu BDI-në për lejimin e hyrjes së operatorit serb M-TEL dhe dhënien e licencave për kompani kazinosh nga Serbia, si dhe për, sipas tyre, dështimin për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“BDI jo vetëm që ka penguar zhvillimin e shtetit dhe ka lënë pas dore shqiptarët, por ka punuar drejtpërdrejt për realizimin e qëllimeve të boshtit Gruevski–Vuçiq,” thekson VLEN.
Sipas këtij koalicioni qeverisës, çdo përpjekje e BDI-së për ta paraqitur VLEN-in si “problem për Evropën” është një tentativë për të larguar vëmendjen nga, siç thuhet në njoftim, “hipokrizia e vet dhe e kaluara me pazare politike kundër interesit shqiptar dhe evropian.