Visar Ademi u dërgon ftesë publike rivalëve për kafe para nisjes së debatit zgjedhor në Gostivar

Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, ka publikuar një letër të hapur drejtuar dy kundërshtarëve të tij në garën zgjedhore : Valbon Limani dhe Sebaedin Dauti, duke i ftuar në një takim miqësor përpara intensifikimit të fushatës.
Në letrën e tij, Ademi i ka përgëzuar Limanin dhe Dautin për kandidaturat dhe ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të një fushate të bazuar në dinjitet, respekt të ndërsjellë dhe kulturë demokratike.
Ai ka propozuar që takimi të mbahet të dielën, në orën 10:00, në kafenenë “Minjon” pranë lumit, duke e cilësuar si një mundësi për të shkëmbyer ide në një atmosferë të qetë dhe miqësore, si dhe për të dhënë shembullin e një gare të ndershme qytetarëve të Gostivarit.
“Jam i bindur se qytetarët presin nga ne shembullin më të mirë të garës së argumentuar. Le ta ngremë nivelin e kësaj fushate në standardin e kulturës demokratike që qytetarët e Gostivarit padyshim e meritojnë”, ka theksuar Ademi në letrën e tij.