Visar Ademi: Gostivari po kundërmon nga mbeturinat, menaxhimi aktual është i dështuar

Kandidati i pavarur për Komunën e Gostivarit, Visar Ademi, ka kritikuar ashpër gjendjen e menaxhimit të mbeturinave në komunë, duke e quajtur situatën alarmante dhe të papranueshme për një qytet si Gostivari.
Në emisionin “Debat në SHENJA”, Ademi deklaroi se mungesa e infrastrukturës dhe kapaciteteve teknike ka sjellë një krizë të vërtetë në pastrimin e qytetit.
“Gostivari po kundërmon nga mbeturinat që nuk mblidhen, as në zonat urbane, e lëre më në ato rurale. Ky qytet prodhon rreth 10 tonë mbeturina në ditë, ndërkohë që kemi vetëm një kamionetë për grumbullimin e tyre,” tha Ademi.
Ai shtoi se problematika është e pranishme në çdo pjesë të qytetit: “Sot nuk ka lagje që nuk përballet me këtë problem. Nuk ka asnjë bulevard që ka një shportë për hedhjen e mbeturinave të vogla – e mos të flasim për mbeturinat industriale apo ato me përmasa të mëdha.”
Sipas Ademit, kjo situatë është dëshmi e dështimit të menaxhimit komunal dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, me investime në mjete dhe infrastrukturë për një zgjidhje të qëndrueshme. /SHENJA/