(VIDEO) Zjarri në Vizbeg ndez skenën politike, akuza dhe kundërakuza

Zjarret e fundit që kapluan një pjesë të Shkupit u shuan, ndërsa tani kanë mbetur vetëm disa “thëngjillë” që ende tymosin. Nga malet, zjarri zbret poshtë, pasi në orvatje për të gjetur shkaktarin, është ndezur skena politike, pasi policia ditë më parë, ka bastisur shtëpin e kryetarit të degës së Shutkës të Bashkimit Demorkatik për Integrim, Ilaz Leskovica, me pretendimet se ai është i përfshirë në zjarrin e madh që ndodhi në Vizbeg të Shkupit.
Kryeministri Hristijan Mickoski, nuk e mohoi dhe as e pohoi mundësinë që një funksionar i BDI-së të jetë i përfshirë në zjarrvëniet e fundit në Shkup. I pyetur nga gazetarët, ai tha se nuk dëshiron të flasë në detaje, por pranoi se ka dyshime të bazuara dhe se hetimet janë në vijim.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Ka disa dyshime, por nuk do të doja të flas në detaje. Po zhvillohen hetime, po analizohen telefonat. Kemi informacione dhe dyshime të arsyeshme se ajo që ndodhi para disa ditësh në Shkup ishte një veprim i organizuar. Janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar pajisje”.
Për këtë, në rrjetin social Facebook, ka reagur Ilaz Leskovica, i cili i hedh poshtë kategorikishtë këto pohime. E gjithë kjo, sipas tij, është instrumentalizim i policisë për luftë politike dhe përndjekje selektive.
ILAZ LESKOVICA, KRYETAR I DEGËS SË SHUTKËS I BDI-SË
“Policia partiake dy ditë më parë bastisi shtëpinë pa urdhër, pa paralajmërim dhe pa asnjë bazë ligjore. Bënë një spektakël, shkelën çdo procedurë, kontrolluan gjithçka dhe nuk gjetën asgjë. Asnjë provë, asnjë lidhje me akuzat që po përpiqen të fabrikojnë gjoja se kam lidhje me zjarrvëniet në Vizbeg. Në vend që të kërkojnë falje për këtë shkelje të rëndë, vendosën të aktivizojnë portalet e afërta me pushtetin për të më përlyer publikisht”.
Në mbrotje të Leskovicës kanë dalë edhe nga partia e tij, BDI. Sipas tyre, këto përpjekje të qëllimshme për manipulim publik paraqesin një sulm të drejtpërdrejtë ndaj zërit opozitar dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve.
BDI
“Në këtë kontekst, ftojmë institucionet përgjegjëse të sqarojnë në mënyrë transparente arsyet, bazën ligjore dhe qëllimin e kontrollit policor të ndërmarrë ndaj shtëpisë së z. Iljas Leskovica, si dhe të sqarojnë se kush nga qarqet e inkriminuara qëndron pas vendimeve të tilla selektive që synojnë të ushtrojnë presion mbi përfaqësues politikë legjitimë”.
Bashkimi Demokratik për Integrim rikujton se kapja e drejtësisë dhe instrumentalizimi i institucioneve nuk janë sfida ndaj një partie politike, por rrezik serioz për rendin demokratik dhe për të ardhmen evropiane të vendit.
Nga atje shtojnë se Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i palëkundur në përkushtimin e tij për sundimin e ligjit, për drejtësi të pavarur dhe për përfaqësim të denjë të qytetarëve shqiptarë në të gjitha nivelet.
Samir Mustafa /SHENJA/