(VIDEO) Zjarri në fabrikën e biskotave në Vinicë, 18 të lënduar

(VIDEO) Zjarri në fabrikën e biskotave në Vinicë, 18 të lënduar

Të paktën 18 persona, mes të cilëve, zjarrfikës, vullnetarë dhe të punësuar janë lënduar gjatë shuarjes së zjarrit që shpërtheu të shtunën në mbrëmje  në një fabrikë ëmbëlsirash dhe biskotash në Vinicë. Deri vonë në mbrëmje, ekipet zjarrfikëse morën pjesë në shuarjen e flakëve, ndërsa që nga mëngjesi zjarri është vënë nën kontroll, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.

STOJANÇE ANGELLOV, DREJTORI I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM

“Të djegura janë tre linja të shënuara si 6, 7 dhe 8 (nga të cilat dy magazina), të gjitha kishin panele diellore në çati. Janë shpëtuar linjat nga 1 deri 5. Zjarri është nën kontroll të plotë. Në shuarjen e tij  morën pjesë zjarrfikës nga VinicA, Maqedonska Kamenica, Dellçeva, Koçani, Probishtipi, Shtipi, Strumica, Kavadarci dhe Velesi”.

Angellov shpjegoi se disa zjarrfikës u lënduan pasi u ngatërruan në sheqerin e shkrirë brenda fabrikës, duke pësuar djegie në shputat e këmbëve.

Edhe kryetari i Komunës së Vinicës, Mile Petkov, konfirmoi se  ndihmë mjekësore kanë kërkuar 18 persona, mes tyre zjarrfikës, vullnetarë dhe punonjës të fabrikës. Një pjesë e tyre u dërguan në spitalin e Koçanit, ndërsa ata që kishin thithur tym u transferuan në Qendrën Klinike të Shkupit. Sipas Petkovit, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Në total, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth  5.000 metrash katrorë, duke shkatërruar tri reparte dhe një magazinë të tërë.

Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut njoftoi se do të formojë një shtab krize së bashku me pronarin e fabrikës për të ndihmuar në normalizimin e gjendjes, duke shprehur keqardhje për dëmet e shkaktuara.

Kompania “Makprogres – Vinçini”, e cila është themeluar para 35 vitesh dhe punëson rreth 500 punëtorë, është prodhues i njohur në industrinë e ëmbëlsirave dhe furres, duke eksportuar rreth 75% të prodhimit në 45 shtete.

/SHENJA/

MARKETING