(VIDEO) Zjarret në RMV, terreni i pjerrët në Bllacë sfidë për zjarrfikësit

Zjarri vazhdon të djegë hapësira të mëdha në malet në afërsi të fshatit Bllacë, temperaturat e larta janë sfida më e madhe, që vështirëson edhe më shumë punën e ekipeve që përballen në mënyrë direkte me zjarrin në malet e larta. Aktualisht në të gjithë vendin janë katër vatra zjarri aktive nga 25 sa ishin ditën e djeshme.
Drejtori i Qendrës për Menaxhimin е Krizave, Muhamed Ali njoftoi se dy helikopterë të policisë dhe një i ushtrisë po bëjnë përpjekje për shuarjen e zjarrit. Në shuarjen e zjarrit mbi malet e në afërsi të Bllacës janë angazhuar të gjitha ekipet e shpëtimit, shtuar këtu edhe shoqatën e vullnetarëve “Bajram Shabani”, nga Çairi.
MUHAMED ALI, DREJTOR I QMK-SË
“Brigada e zjarrfikësve në Shkup, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim me veturat që dje i promovoi kryeministri janë këtu dy, janë tre helikopterë, komuna, kryqi i kuq është në ndihmë, shoqata vullnetare, “Bajram Shabani” nga Çairi është këtu, besoj se kemi kapacitet të mjaftueshëm për t’u përball me zjarrin edhe pse këtë vit ka shumë rrezik të madhë nga zjarri për shkak të temperaturave të larta”
Për zjarrin në mbi malet e Bllacës foli edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, i cili mes tjerash tha se në disa krah është shuar zjarri megjithatë njoftoi se një pjesë vazhdon të digjet. Deklaron se terreni në të cilën zjarri është aktiv është vështirë i qasshëm.
STOJANÇE ANGELLOV, DREJTORIA PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM
“Terreni është tejet i vështirë unë isha atje në orët e para të mëngjesit, përpjekjet po bëhen në një terren të pjerët, terren i gjysmë i arritshëm po me raste edhe i paaritshëm por në këtë moment mund të konstatoj se nuk ka rrezik për vendbanimet për rreth apo edhe për objekte, në vendngjarje veç mëngjesit isha edhe vonë mbrëmë, falë veprimit të zjarrfikësve nga Qyteti i Shkupit, u shpëtuan disa objekte që ishin të rrezikuara nga zjarri”
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se për të lokalizuar dhe shuar zjarrin në Bllacë janë hedhur afërsisht 70-të tonelata ujë dhe se mbi malet me zjarr helikopterët e MPB-së kanë fluturuar më shumë se 55 herë. Kujtojmë, për zjarrin në Bllacë, autoritetet janë njoftuar dje rreth orës 14, për shkak të zjarrit një periudhë kohore autoritet ligjzbatuese ndaluan qarkullimin në rrugën që lidh Shkupin me Kosovën.
Mevludin Imeri /SHENJA/