(VIDEO) Zgjedhjet lokale, vazhdojnë përplasjet VMRO – LSDM

Data e zgjedhjeve të rregullta lokale tashmë është vendosur. Ato në Kuvend do të shpallen më 7 ose 8 gusht dhe rrethi i parë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 19 tetor. Kështu bëri me dije kryeministri Hristijan Mickoski.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Ajo që e marr si informacion nga Parlamenti është se zgjedhjet do të shpallen diku më 7 ose 8 gusht dhe rrethi i parë i zgjedhjeve lokale do duhet të mbahet më 19 tetor”.
Ndërkohë, po vazhdon “lufta e ashpër”, për udhëheqësit e ardhshëm të komunave për një mandat të ri katërvjeçar. Partia e opozitare LSDM ka kritikuar kandidimin e Orce Gjoeorgjievskit për kryetar të Qytetit të Shkupit.
Lubica Jançeva, LSDM
“Orce Gjorgjievski është kryetar komune i partisë, jo i qytetarëve. Kryeqyteti nuk e meriton një pion të Mickoskit, i cili do ta përdorë thesarin e qytetit si thesar për partinë dhe do ta fundosë Qytetin e Shkupit”.
E për këto kritika të LSDM-së, Mickoski ju përgjigjet se në zgjedhjet e vjeshtës gjithçka do të jetë e qartë.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“LSDM e ka retorikën e saj dhe e ka komunikimin e saj politik, unë nuk do ta komentoja. Të presim të vijë 19 tetori ora 20:00, do t’i dëgjojnë rezultatet dhe gjithëçka do të jetë e qartë”.
VMRO –DPMNE të dielën, pas mbajtjes së Komitetit Ekzekutiv të partisë shpalosi disa nga kandidatët që do të jenë në garë për zgjedhjet lokale. Të njejtën gjë e bëri edhe LSDM para disa dite. Ndërsa partitë shqiptare, ende po merren me analizimin e kandidatëve.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/