(VIDEO) Zgjedhjet lokale, Mickoski: VMRO, ZNAM dhe VLEN ta mbështesin njëra – tjetrën

Tre muaj para se qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit, vendi po hyn në një fazë vendimtare të përgatitjeve për zgjedhjet lokale. Fushata elektorale ende nuk ka nisur zyrtarisht, por partitë politike tashmë kanë intensifikuar lëvizjet në terren, duke synuar të fitojnë besimin e votuesve për të drejtuar komunat në katër vitet e ardhshme. Me sfida të akumuluara, pritshmëri të larta dhe një klimë politike dinamike, gara për pushtetin lokal pritet të jetë e ashpër dhe vendimtare për drejtimin e shumë komunave kyçe në vend. Disa parti politike tashmë kanë zyrtarizuar emrat e parë të kandidatëve për kryetarë komunash, ndërsa në disa zona kanë nisur të shfaqen edhe kandidatë të pavarur, të cilët kanë shpallur publikisht synimin për të garuar.
Partia opozitare shqiptare, BDI, gjatë ditës së djeshme njoftoi se kanë vendosur disa nga emrat me të cilat do të garojnë në zgjedhjet lokale, ku në Çair, kandidat i Frontin Europian do të jetë Bujar Osmani, në Tetovë kandidatë do të jetë Bajram Rexhepi dhe në Zhelinë kandidat për kryetar komunë nën llogon e Frontit, do të jetë Emir Sulejmani.
Ndërkohë, kryeministri dhe njëherësh kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka zbuluar se partitë e koalicionit qeverisës do të ketë listat e veta të bartësve të këshilltarëve. Ai tha se VMRO, ZNAM dhe VLEN duhet ta mbështesin njëra – tjetrën për kandidatët për kryetarë komunash. Sa i përket publikimit të kandidatëve zyrtarë që do të garojnë në zgjedhjet lokale, Mickoski tha se, pas pushimit veror do ti shpalosin emrat konkretë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMNISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Diku, pas pushimit veror do të kemi edhe njoftim zyrtar, kumtesë deri te publiku. Pres që qeveria të jetë, ndërmjet 5 dhe 15 gushtit në pushim vjetor. Këto dhjetë ditë. Kështu që analizat në atë periudhë do të zgjasin dhe menjëherë, pas 15 gushtit, ja të themi, në gjysmën e dytë të gushtit dhe kjo të zyrtarizohet”.
Në anën tjetër, koalicioni VLEN ende nuk ka dalë me emra, por ka paralajmëruar se në Strugë do të mbështesë kandidatin e Pavarur, Mendi Qyra, ndërsa Bilall Kasami për Tetovën dhe Blerim Sejdiu për Zhelinën, kanë paralajmëruar se do të rikandidohen.
Kujtojmë se Bashkimi Demokratik për Integrim gjatë ditës së djeshme po ashtu njoftuan se cilat komuna do t’u takojnë partnerëve të Aleancave që janë në koalicion, por edhe atje zyrtarizimi i kandidatëve konkretë ende mungon, ndërsa pritet që javët në vijim të sjellin më shumë qartësi.
Samir Mustafa /SHENJA/