(VIDEO) Zgjedhjet lokale, Mexhiti nuk e përjashton kandidimin në Çair

Pritshmëritë e VMRO-DPMNE-së sipas ministrit të Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski janë që ata të fitojnë në secilën komunë dhe se këto pritshmëri thotë se i kanë të bazuara në numra. Ndërsa i pyetur për informacionet që Orce Gjorgievski, kryetar aktual i komunës së Kisella Vodës të jetë kandidat i VMRO-së për Shkupin, ai thotë se kjo do të dihet të dielën. Ndërsa shtoi se cili do që të jetë kandidati ai thotë se do ta mbështes, ashtu siç do ta mbështes siç tha ai, cilindo kandidat tjetër për komunat e tjera.
Zllatko Perinski, ministër i Vetëqeverisjes Lokale
“Këtë informacion ende nuk e kam. Më së miri është të presim deri të dielën. Është e vërtetë se në ora 12:30 e kemi mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv dhe është e pritshme që të publikohen, mes tjerash edhe emra për kryetarë komunash edhe emri për Qytetin e Shkupit”.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, nuk e përjashton mundësinë që të kandidojë për kryetar të Çairit. Në emisionin “24 analiza” tha se janë duke rrjedh anketat brenda partiake, ndërsa shtoi se presin fitore në më tepër komuna me shumicë shqiptare.
Izet Mexhiti, zv/kryeministër
“Po analizojmë terrenin dhe dëshirojmë që të gjejmë zgjidhje më të mirë dhe në bazë të kësaj do të veprojmë. BDI dëshiron për Çairin ta kandidoj Bujar Osmanin dhe është e qartë se kandidat tjetër nuk është në lojë, ndërsa për ne është e rëndësishme ta fitojmë Çairin. Po bëhen analiza, nuk e përjashtoj mundësinë të kandidoj për kryetar të Çairit”.
Për zgjedhjet lokale ka folur edhe Billall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës. Ai thotë se VLEN do t’i publikoj emrat e kandidatëve garues për zgjedhje lokale brenda muajit korrik. Ai gjithashtu u shpreh se ka gatishmëri për përkrahje të ndërsjelltë me VMRO në të gjitha komunat ku do të garojnë kandidatët e koalicionit qeverisës, por se ende nuk kanë folur për individ dhe kandidat konkret.
Bilall Kasami, kryetar i Tetovës
“Jemi në fazën përfundimtare të analizave të cilat i bëjmë, duke përfshirë këtu edhe matjet e opinionit publik për kandidat të caktuar në komuna të caktuara dhe në bazë të dinamikës së paraparë me agjensionit i cili merret me këtë çështje por edhe me liderët politik në kuadër të VLEN-it presim që brenda korrikut t’i kemi edhe emrat përfundimtarë”.
LSDM të mërkurën shpalli një pjesë të kandidatëve për kryetarë komunash. Kandidatët u prezantuan për disa komuna, përfshirë Karbincin, Sopishten, Debërcën, Demir Hisarin dhe Strumicën. Ndërkaq, Fronti Evropian nuk e ka publikuar asnjë emër.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/