(VIDEO) Zgjedhjet lokale, kryeministri paralajmëron fushatë të ndyrë

(VIDEO) Zgjedhjet lokale, kryeministri paralajmëron fushatë të ndyrë

Pres një fushatë në të cilën do të mbizotërojnë spekulime, konstrukte, inskenime, të pavërteta nga ana e opozitës dhe e pakicës së përkrahësve të saj”. Kështu deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i pyetur se çfarë fushate pret nga partitë për zgjedhjet lokale.

Mickoski, pas promovimit të koalicionit zgjedhor që përbëhet nga 25 subjekte politike dhe nënshkrimit të dokumentit “Deklarata për Maqedoninë e qytetarëve dhe për komunat që krijojnë të ardhme”, theksoi se VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit do t’i paraqesin rezultatet dhe gjithçka që kanë realizuar kryetarët e komunave gjatë katër viteve të fundit.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-SË

Ne si koalicion kemi me çfarë të dalim para qytetarëve, çfarë kemi bërë në katër vitet e fundit në komuna, çfarë kemi realizuar në 15 muajt e fundit si pushtet qendror dhe do të përpiqemi të bëjmë dallimin midis atyre shtatë viteve kur BDI dhe LSDM ishin në qeveri dhe këtyre katër viteve kur ky koalicion udhëhiqte pjesën më të madhe të komunave dhe tani e udhëheq Qeverinë në Maqedoni”.

Mickoski, tha se zgjedhjet lokale janë të rëndësishme për dy arsye kryesore: sepse komunat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe sepse qytetarët duhet të zgjedhin njerëz që do t’i mbrojnë interesat e tyre.

Nesër më 13 shtator përfundon paraqitja e kandidatëve dhe këshilltarëve për zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Ndërkaq, mesnatën e 11 shtatorit përfundoi shqyrtimi i listës zgjedhore. /SHENJA/

MARKETING