(VIDEO) Zgjedhjet lokale, kandidatët e Likovës zhvillojnë takime me qytetarët

Ashtu siç ndodh tradicionalisht në vendin tonë, sa afrohen zgjedhjet, nisin aktivitetet e kryetarëve të komunave, ndërtimet e një cope rruge, premtime të mëdha, e takime me qytetarë. Edhe pse ende nuk ka nisur fushata zyrtare, kryetarët e kandidatët për kryetarë komune, i kanë përveshur mëngët.
Në Komunën e Likovës, kryetari aktual nga radhët e BDI-së Erkan Arifi, do të kërkoj besimin e qytetarëve edhe për një mandat të tretë, pas qeverisjes së tij me komunën për tetë vitet e kaluara. Në kuadër të aktiviteteve të tij, Arifi në facebook e ka publikuar videon e rrugës lokale Sllupçan – Orizare, në të cilën janë përfunduar punimet.
Ndërsa një natë më parë ka vizituar fshatin Vaksincë, ku është takuar me qytetarë të asaj ane.
Ndërkaq, kundërkandidati i tij në këto zgjedhje do të jetë, Nexhmedin Sadiku, kandidat i Koalicionit VLEN. Sadiku ka vizituar fshatin Llojan dhe gjatë takimit me qytetarë, ka dëgjuar hallet dhe problemet e banorëve të asaj ane.
Në një video të fshatit Llojan, që Sadiku e ka postuar në facebook shkruan “Llojani nuk e meriton këtë gjendje, meriton shumë më shumë”.
Ndërsa këto ditë ka zhvilluar disa takime në Preshevë e në Gjilan, pë siç ka thënë ai për të bashkëpunuar dhe për të shkëmbyer përvojat mes komunave.
Fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator në ora 00:00 dhe zgjat deri më 17 tetor deri në ora 24. Për raundin e dytë, fushata zgjedhore do të zgjasë deri më 31 tetor deri në ora 24. Ndërsa zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor dhe 2 nëntor.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/