(VIDEO) Zgjedhjet lokale, BDI: Qeveria të mos e zvogëlojë numrin e këshilltarëve

“BDI shpreh shqetësim për vendimin e Qeverisë për zvogëlimin e këshilltarëve, duke dëmtuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë komunat, ku pjesë e konsiderueshme e popullsisë janë shqiptarë”. Kështu shprehet nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi, për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që ka të bëjë me qytetarët rezident dhe jorezident. Ky vendim sipas tij, përbën shkelje të drejtëpërdrejtë të nenit 34 të Ligjit për Vetëqeverisje lokale, ku qartë thuhet se numri i këshilltarëve përcaktohet në bazë të numrit të banorëve dhe jo në bazë të statusit të tyre rezident apo jorezident. Vendimi shton se, është poashtu në kundërshtim me Kushtetutën e vendit si dhe me parimet themelore të përfaqësimit të barabartë dhe të drejtës për pjesëmarrje.
Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së
“BDI kërkon që Qeveria të shfuqizojë menjëherë vendimin antikushtetues, të rikthehet numri i këshilltarëve sipas të dhënave reale të regjistrimit dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjin. Tani është koha kur një veprim i tillë mund të ndërmerret për të parandaluar pasoja të rënda mbi legjitimitetin e zgjedhjeve lokale që po afrohen. Nëse Qeveria nuk e korrigjon këtë padrejtësi, atëherë përgjegjësia do të bie mbi të gjithë ata që, me heshtjen ose bashkëpunimin e tyre, legjitimojnë diskriminimin institucional ndaj qytetarëve dhe përjashtimin e mërgatës nga jeta publike”.
Në të kundërt, siç thekson Ademi, si subjekt politik do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për anulimin e këtij vendimi dhe për mbrojtjen e të drejtave legjitime të komunave shqiptare.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dispozitat e Metodologjisë së zbatuar për Regjistrimin e vitit 2021, respektivisht kategorizimin e popullsisë rezidente dhe jorezidente. Reagimi i opozitës shqiptare ishte se me këtë vendim ulet numri i këshilltarëve nëpër komuna, megjithatë koalicioni shqiptarë në pushtet ka thënë se kjo gjë nuk do të ndodh.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/