(VIDEO) Zgjedhjet e nesërme lokale, votohet për 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista

Pas rreth 3 javëve fushatë intensive, ku kandiatët me ngulm synonin t’i bindin qytetarët që të marrin votën e tyre, duke premtuar projekte të shumta e duke dhënë zgjidhje për shumë probleme, të dielën është radha e qytetarëve. Ata do të vendosin për kandidatin që do ta udhëheq komunën e tyre për 4 vitet e ardhshme. Të drejtën e tyre të votës qytetarët do të mund ta ushtrojnë nëpër vendvotimet më të afërta të vendbanimeve të tyre, edhe atë me fillim nga ora 07:00 e mëngjesit e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit dhe të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarët e komunave dhe këshillat komunalë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Pritet të votohet në 3.474 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe për 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunalë, ose gjithsej për 10.490 kandidatë. Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe qytetarësh, gjegjësisht kandidatura të pavarura. Më shumë kandidatë për kryetar komune ka në Qytetin e Shkupit – 16. Të drejtë vote në zgjedhjet lokale kanë 1.832.415 qytetarë, nga të cilët 1.717.803 në vend, ndërsa pjesa tjetër prej 112.000 janë të regjistruar në Listën e veçantë zgjedhore të personave që janë shpërngulur nga shteti. Risia e këtyre zgjedhjeve është se votim në diasporë për zgjedhjet lokale nuk ka, por nëse personat që jetojnë ose punojnë përkohësisht jashtë vendit kthehen në atdhe, do të mund ta realizojnë të drejtën e tyre për të votuar. Në Qytetin e Shkupit numri i përgjithshëm i votuesve është 474.304. Nga komunat, më shumë qytetarë me të drejtë vote ka në Kumanovë – 94.041, Gostivar – 82.893, Tetovë – 87.878, Manastir – 77.253, Aerodrom – 68.772, Strugë – 62.711 dhe Prilep – 62.053 votues. Ndërsa më pak ka në Lozovë – 1.905, Vevçan – 2.092, Novaci – 2.429, Konçe – 2.716 dhe Rankovcë – 2.921 votues.
Fushata zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale nisi më 29 shtator, ndërsa fushata për rrethin e dytë të zgjedhjeve do të zgjas deri më 31 tetor dhe rrethi i dytë pritet të mbahet më 2 nëntor.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/