(VIDEO) Zaev: Mickoski shpif për t’i fshehur dështimet

“Pallavra, shpifje dhe fyerje janë metodat e Mickoskit me të cilat ai përpiqet të justifikohet për katastrofën që po i shkakton të gjithë shtetit. Paaftësia e tij për të arritur qoftë edhe një rezultat të vetëm në cilëndo fushë të shoqërisë dhe politikës, e shoqëruar me vetëkënaqësinë dhe arrogancën e tij, do ta çojë atë në humnerë politike. Por, duhet të kemi kujdes që të mos e tërheqë edhe shtetin me vete në atë humnerë”. Kështu ka reaguar ish kryeministri Zoran Zaev pas akuzave të kryeministrit aktual Hristijan Mickoski se ka marrë valixhe me para nga një ish kryeministër bullgar.
ZORAN ZAEV, ISH KRYEMINISTËR
“Kategorikisht i hedh poshtë gënjeshtrat dhe shpifjet e Mickoskit për të ashtuquajturat ‘valixhe me para nga një ish-kryeministër bullgar’, si të pavërteta dhe si një përpjekje e dëshpëruar e një kryeministri të paaftë për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit nga dështimet e tij tek trillimet e veta”.
Zaev shtoi se nëse dikush është “ekspert për valixhe me para”, atëherë ata janë pikërisht mbështetësit dhe financuesit e Mickoskit.
ZORAN ZAEV, ISH KRYEMINISTËR
“E kur jemi të valixhet, pamë në videot që ata vetë i publikuan se kush janë ekspertët e vërtetë për valixhe me para – ata që Mickoski mburrej se i kanë paguar faturat e rrymës në ‘Pallatin e Bardhë’, ata që donin të bëheshin konsuj bullgarë dhe kriminelët e dënuar që janë lënë të mbrohen nga liria vetëm për të sulmuar opozitën”.
Dy ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski nga një tubim në Kumanovë tha se propozim-rezoluta për vijat e kuqe e LSDM-së është një ‘kalë troje’ dhe një dhuratë e re për Bullgarinë. Ai akuzoi se një ish kryeministër bullgar financiarisht e kishte ndihmuar atë opsion të LSD-së drejtpërdrejt përmes një valixhjeje me para, drejtuar mentorit të Filipçes nga Strumica.
/SHENJA/