(VIDEO) Vrasja e Vanjës, babai ndihmoi për rrëmbimin e vajzës së vet

(VIDEO) Vrasja e Vanjës, babai ndihmoi për rrëmbimin e vajzës së vet

Detaje tronditëse për vrasjen e të miturës 14 vjeçare  nga Shkupi dhe 74 vjeçarit nga Velesi kanë shpalosur sot në konferencën për media ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe prokurori publiK Gavril Bubevski. Аta njoftuan se organizatori i vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi është Ljupço Palevski i njohur si Palço, i cili aktualisht është në arrati. Zyrtarët njoftuan se i dyshuari kryesor, së bashku me avokatin e tij, јanë larguar nga vendi për në Beograd, e më pas në Bullgari.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Оrganizatori kryesor dhe ekzekutori me armë diku rreth orës 10 ka vrarë të miturën i frikësuar nga provat që policia mund të gjejë në hetimin e menjëhershëm. Ai po kërkohet.  Mund të ju premtojë se unë dhe institucioni do të bëjmë gjithçka për ta nxjerrë përpara drejtësisë këtë person sapo të shkelë në tokën tonë, ose më saktë këtë përbindësh, gjurmët e të cilit po i ndjekim”.

Prokurori publik Gavril Bubevski deklaroi se 74-vjeçari Pançe Zhezovski nga Velesi është vrarë për shkak se i kishte borxh 500 euro njërit prej të dyshuarve. Ai theksoi se sipas informacioneve bëhet fjalë për një grup që kanë vepruar së bashku dhe kanë kryer dy vepra penale “rrëmbim personi” dhe “vrasje”.

GAVRIL BUBEVSKI, PROKUROR PUBLIK

“Motivi i vrasjes së Pançes ishte marrëdhënia debitore-kreditore me njërin prej të dyshuarve. Pançe njërit prej të dyshuarve i kishte borxh 500 euro dhe kështu ishte zgjedhur si viktimë për ta marrë veturën dhe për ta rrëmbyer vajzën. Për tre nga pesë personat e përfshirë që dyshohen, kemi njohje për përfshirjen e tyre të përgjithshme në ngjarje dhe kush ka qenë përgjegjës për çfarë në këtë krim. Ata kanë kryer edhe dy krime – vrasje, në lidhje me të dy krimet, që marrin dënimin më të rëndë penal”.

Në burgun hetues në Shkup për momentin janë edhe tre të dyshuar, Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. Sipas informatave të publikuar anë konferencën për shtyp, të tre i kanë kumtuar të gjitha detajet për atë çfarë ka ndodhur në dy javët e kaluara, ndërkaq dy prej tyre, veç e veç kanë qenë dëshmitarë në vrasjet. Rasti është në parahetim dhe për ato arsye atyre u është caktuar masë paraburgimi prej 48 orësh, ndërkaq kur të dorëzohen paraqitjet dhe zyrtarisht do të hapet hetim, paraburgimi mund t’u vazhdohet.

Si i dyshuar tjetër i grupit është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili, siç tha prokurori publik Bubevski, i mohon akuzat e tij, përfshirjen dhe për të cilët të dyshuarit e tjerë në deklaratat e tyre kanë deklaruar se kanë marrë informacion nga ai për lëvizjet e vajzës së tij. “Për momentin kemi prova për babain se ai indirekt ka marrë pjesë në informimin se kur do të dalë vajza nga shtëpia për ta marrë. Nuk kemi dijeni se ai ishte i përfshirë në motivin e vrasjes. Njëri nga të dyshuarit ka thënë se informacionin për vajzën e ka marrë nga babai. Sipas meje, deklaratat tregojnë një kronologji të qartë të veprimeve të tyre, kështu që nuk kam dyshime për deklaratat”, tha Bubevski.

Ljupco Palevski – Palco është një ish-biznesmen ndërtimor dhe themelues i partisë Desna. Në konferencën për media, Spasovski tha se të gjithë të dyshuarit janë anëtarë të një partie politike dhe se në këtë parti është bërë bastisje.

Motivi për dy vrasjet e kryerja, siç njoftuan Spasovski dhe Bubevski, janë interesat financiare, gjegjësisht njëri prej personave në marrëveshje dhe me njohuri të anëtarit të familjes (babai i vajzës së vrarë) e kanë organizuar kryerjen e veprës penale me qëllim që të zhvasin para prej nënës, prej çka të gjithë të përfshirët do të kishin dobi materiale.

Vanja ishtë zhdukur më 27 nëntor në mëngjes rreth orës 7.25, rrugës për në shkollë. Shtatë ditë pas raportimit për zhdukjen e vajzës 14-vjeçare nga Shkupi, Policia e Maqedonisë së Veriut e gjeti trupin e saj të pajetë, të varrosur në një fshat në afërsi të kryeqytetit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING