(VIDEO) Vrasja e migrantes në Gjevgjeli, i shoqi dhe “Second Tree” kërkojnë drejtësi

(VIDEO) Vrasja e migrantes në Gjevgjeli, i shoqi dhe “Second Tree” kërkojnë drejtësi

Fatmata quhet migrantja 23-vjeçare e cila vdiq të mërkurën e kaluar duke kaluar kufirin ilegalisht nga Greqia për në Maqedoninë e Veriut. Kjo ngjarje ishte heshtur për thuajse një javë, derisa është alarmuar nga organizata për refugjatë “Second tree”.

Sipas një versioni zyrtar të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, emigrantja u vra të mërkurën e kaluar, nga policia pas një përleshjeje që kishte policia me dy trafikantë migrantësh. Organizata “Second Tree”, e cila punon në kampet e refugjatëve në pjesën veriore të Greqisë, në llogarinë e saj zyrtare në tëitter shkruan se Fatmata u vra nga një polic maqedon.

ORGANIZATA “SECOND TREE”

“Fatmata ka vdekur. Ajo u qëllua nga policia në Maqedoninë e Veriut të mërkurën. Ajo sapo kishte kaluar kufirin nga Greqia, vendi që i kishte mohuar azilin… Nëse nuk do ta dinit, as që do ta merrnit me mend se ajo jetoi në një kamp refugjatësh, ishte 23 vjeçe. Ajo ishte plotë jetë, gjithmonë e gatshme për të ndarë forcën dhe energjinë e saj dhe i pëlqente të kërcente. Ajo ishte pjesë e organizatës sonë”.

Nga kjo organizatë sqarojnë se Fatma kishte edhe burrin Abu Bakar dhe njiheshin që si fëmijë. Dy muaj para se të vritej, Fatmata i tha Abubakarit se ishte shtatzënë, por duke qenë se nuk kishin dokumente dhe para, nuk bënë kurrë një test shtatzënie. I shoqi ishte i pranishëm kur u qëllua Fatma.

ORGANIZATA “SECOND TREE”

Ai thërriste emrin e saj, lutej për ndihmë. Ka edhe një video ku Abu Bakar përqafon Fatmën teksa ajo po vdiste nga plaga me armë zjarri. Menjëherë më pas, bashkëshorti i Fatmës u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për një ditë pa asnjë lajm për gruan e tij. I është ofruar që ta lënë në kufi me Serbinë që të vazhdoj më tej, por ai ka deklaruar se kërkon drejtësi për Fatmën”.

Giovanni dhe Juliet nga organizata “Second Tree” tani janë me Abu Bakar në Maqedoninë e Veriut. Ai ende nuk e di se ku ndodhet trupi i Fatmës dhe kërkon ta shohë që nga dita që u ndanë. Ai ka një avokat me vete dhe janë gati të kërkojnë drejtësi.

Për rastin tragjik në Gjevgjeli janë në paraburgim dy persona të dyshuar për veprën e kontrabandës me emigrantë.  Të mërkurën më 19 prill Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut informoi se  rreth orës 6 e 20 të mëngjesit pas një përleshjeje mes policisë dhe trafikantëve të migrantëve ka mbet ui vdekur një migrant.

MPB 

“Punonjësit e policisë kanë hetuar një automjet pasagjerësh tip ‘Mercedes’, me drejtues shtetasin K. J. (26) dhe mjetin motorik të pasagjerëve ‘Ford Focus’, i drejtuar nga S.B. (51), të dy nga Shkupi, në të cilin janë transportuar ilegalisht migrantë. Automjetet janë ndalur nga policia, ku S.B. dhe migrantët kanë tentuar të arratise, ndërsa K.J. ka sulmuar fizikisht një punonjës policie duke tentuar t’ia marrë armën. Në të njëjtën kohë, zyrtari policor ka qëlluar nga pistoleta e shërbimit dhe ka goditur njërin nga migrantët. Migranti I plagosur është dërgiuar në spital me automjetin e policisë, ku dhe ka ndërruar jetë”.

Një javë pas vrasjes së 23 vjeçares ka reaguar vetëm Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi. Ky institute kërkon që shteti të marrë përgjegjësi dhe të kryejë hetime të hollësishme.

INSTITUTI ARBËN XHAFERI

“Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi është thellësisht i tronditur nga heshtja institucionale karshi kësaj tragjedie….  Një tragjedi e tillë nuk duhet të ndodhë në një vend që aspiron për anëtarësim në BE. Kjo është pasojë e e brutalitetit policor dhe e një politike migratore çnjerëzore që e trajtojnë migrantin jo si person në fatkeqësi, por si kriminel. Kjo politikë vendos në mënyrë të padrejtë trafikantët dhe emigrantët nën të njëjtin status të kriminelit.

Ky institut i bën thirrje institucioneve të vendit, në veçanti Departamentit për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale pranë Policisë si dhe Prokurorisë Publike që të sigurojnë hetim serioz dhe të pavarur, për të ndriçuar ngjarjet që çuan në këtë tragjedi dhe për të mundësuar sjelljen e drejtësisë për Fatmatan dhe familjen saj. /SHENJA/

 

MARKETING