(VIDEO) Von der Leyen: Maqedonia e Veriut mund t’i kalojë pengesat në rrugën drejt BE-së

(VIDEO) Von der Leyen: Maqedonia e Veriut mund t’i kalojë pengesat në rrugën drejt BE-së

Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese në mënyrë që të hapet klasteri i parë i kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky është mesazhi kyç që ka dhënë sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Shkup. Ajo ju bëri thirrje partive politike që përmes një dialogu të përbashkët, të bashkohen dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm vendimtar për përparim, duke shprehur bindjen e saj se mund të tejkalohen pengesat që ekzistojnë ende. E pyetur nëse amendamentet kushtetuese me efekt të prolonguara, janë të pranueshme për Bashkimin Evropian, Von der Leyen, nuk dha përgjigje konkrete, por tha se BE-ja do të ndihmojë në zbatimin zotimit të vendit.

Ursula von der Leyen, presidente e KE

Ne do të ndihmojmë për zbatimin e zotimit që ndërmori Maqedonia e Veriut si shtet sovran në çdo hap të rrugës. Për mua është shumë e rëndësishme që ne kemi një objektiv shumë të qartë. Po punoj me aq sa mundem që të hapim negociatat për klasterin e “Vlerave themelore”. Ky është synimi ynë afatshkurtër për momentin dhe me të vërtetë ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen. Për mua është shumë e rëndësishme, sigurisht që është në interes të Maqedonisë së Veriut që ne të jemi të suksesshëm dhe prandaj dua t’ju riafirmoj dhe t’ju siguroj se ne do të jemi me ju në çdo hap për të arritur qëllimin tonë të përbashkët tonë të përbashkët. Mund të mbështeteni tek ne”.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski pret që Bashkimi Evropian të ndihmojë në gjetjen e mënyrave për vazhdimin e rrugës eurointegruese. Megjithatë kjo zgjidhje sipas tij, duhet të respektojë qëndrimet e qytetarëve se, në të ardhmen nuk do të ketë kërkesa të reja në rrugën drejt BE-së që janë në kundërshtim me idetë dhe vlerat mbi të cilat mbështetet vetë Unioni.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

Ne besojmë në parimin e qasjes së drejtë dhe meritës, por besojmë gjithashtu se përpjekjet tona të vazhdueshme do të vlerësohen siç duhet. Qëllimi është i qartë, por rruga drejt tij kërkon përpjekje të përbashkëta, bashkëpunim, dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë, të cilat janë thelbësore. Jemi të bindur se së bashku mund të tejkalojmë të gjitha pengesat dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Qëllimi përfundimtar – anëtarësimi në BE sa më shpejt që të jetë e mundur – mund të arrihet nëse bëhet një sinergji nga vlerat mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian nga njëra anë dhe në ruajtjen e krenarisë dhe dinjitetit të qytetarëve maqedonas nga ana tjetër”.

Zyrtarja evropiane po ashtu ka theksuar rëndësinë e investimeve në projektin hekurudhor që është pjesë e korridorit 8 dhe që lidh vendin me Shqipërinë dhe Bullgarinë si dhe investimet në korridorin 10, duke thënë se, këto investime do ta shndërrojnë Maqedoninë e Veriut në qendrën kyçe të transportit si dhe do të sjellin shumë përftime për qytetarët.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING