(VIDEO) VMRO: LSDM e ka ditur për kri’min e Grubit në llotari, heshti që të mos rrëzohet qeveria
Përfshirja e ish zëvendës kryeministrit, Artan Grubi në aferën korruptive “Llotaria” dhe largimi itij nga vendi ka përplasur LSDM-në opozitare dhe VMRO-në në pushtet. LSDM akuzon se polici që ka lejuar Artan Grubin të kalojë kufirin ka qenë emëruar nga ministri i brendshëm Pançe Toshkovski. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, tha se ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, nuk duhet të shikohet si “hero, por si një ministër i paaftë”. Kuzeska në një konferencë për media zbuloi se nuk bëhet fjalë për një gabim të policisë, por, siç tha ajo, për një koordinim për lënien e Grubit të lirë. Për dy policët në vendkalimin kufitar “Bllacë” që e lanë Grubin të kalonte, Kuzeska tha se njëri prej tyre, B.J., është caktuar në këtë pozicion pasi Toshkovski ka marrë detyrën si ministër.
BOGDANKA KUZEVSKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Po me urdhër të Toshkovskit, B.J. është transferuar për të kontrolluar pikën e kalimit kufitar, ndonëse më parë ka kryer detyra të tjera të pa lidhura me kontrollin e pikave kufitare. Kjo do të thotë që personi që e ka lejuar kalimin e Grubit është zgjedhja personale e Toshkovskit për këtë pozicion. E pyesim Toshkovskin nëse është e vërtetë që për këto arsye, B.J. është caktuar në këtë pozicion”.
Sipas saj, polici ka marrë raport mjekësor ditën kur ka lejuar kalimin e ish-zëvendëskryeministrit dhe në këtë rast ai nuk mund të pezullohet nga puna përderisa i zgjat raporti mjekësor. LSDM pyet se pse gënjen Toshkovski kur thotë se janë pezulluar, kur kjo nuk është bërë?
Ndërkaq, deputueti I VMRO-së, Mile Lefkov tha se LSDM e ka ditur për krimin e Grubit nga lista e zezë dhe nga Llotaria, por nuk ka reaguar që të mos rrëzohet qeveria.
MILE LEFKOV, DEPUTET I VMRO-SË
“LSDM është fajtore që Artan Grubi ka vjedhur shtetin për vite me radhë dhe ka ushtruar ndikim mbi drejtësinë. Bashkëfajtor në krim ka qenë Dimitar Kovaçevski, paraardhësi i Venko Filipçes. Edhe MPB-ja nën udhëheqjen e LSDM-së e ka ditur për krimin e Grubit. Për vite të tëra nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet nën udhëheqjen e LDSM-së, sepse drejtuesit e asaj partie kanë dashur të mbeten në pushtet me çdo kusht”.
Lefkov tha se VMRO-DPMNE ka folur për krimin e Grubit për vite me radhë, por, sipas tij LDSM ka lejuar që ai të metastazojë deri në dimensione të papara. “SDSM është plotësisht fajtor për grabitjen që ka kryer Grubi”, theksoi ai, duke shtuar se LSDM publikisht duhet ta dënojë Grubin dhe Kovaçevskin. /SHENJA/