(VIDEO) VMRO: Kovaçevski në vitin 2021 dha pëlqimin për emërtimin e rrugës “Adem Demaçi”
Edhe sot pati reagime nga kampi opozitar maqedonas për riemërtimin e rrugës “Brigada e dytë maqedonase”, në “Adem Demaçi”, në Çair. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE –së Naum Stoillkovski thotë se kryeministri i tanishëm Dimitar Kovaçevski, në vitin 2021 në cilësinë e zëvendësministrit, ka votuar për ndryshimin e emrit të kësaj rruge. Ai tregoi procesverbalet e Qeverisë në mars të vitit 2021, kur Qeveria e LSDM-së i jep mendim ish kryetarit të Shkupit Petre Shilegov, për riemërtim të rrugëve, urave dhe objekteve tjera.
VMRO-DPMNE
“Kovaçevski të tregoj se a i vjen turp që e ka votuar rrugën ‘Adem Demaçi’, në vend të ‘Brigata Maqedonase’ dhe tani fshihet dhe manipulon, kërkon që Çairi të ndërtoj rrugë nëse duan ta emërtojnë me emrin ‘Adem Demaçi’?
Pasi të premten u përurua emërtimi i ri i kësaj rruge, në të cilën ngjarje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, në opinion vërshuan një lum reagimesh. Edhe presidenti i shtetit Stevo Pendarovski gjeti rastin për të thënë se mënyra e realizimit të idesë për riemërtim të rrugës në Komunën e Çairit, është në kundërshtim me parimet e debatit demokratik dhe respektim të trashëgimisë historike të të gjithë bashkësive në shtet. Ai shtoi se pret që shërbimet inspektuese kompetente të verifikojnë se nëse gjatë sjelljes së vendimit është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë. Kjo deklaratë e Pendarovskit, nuk u prit mirë tek politikanët shqipfolës. Emine Ismaili /SHENJA/