(VIDEO) VMRO këmbëngul që ndryshimet kushtetuese të bëhen sipas modelit kroat

(VIDEO) VMRO këmbëngul që ndryshimet kushtetuese të bëhen sipas modelit kroat

Partia opozitare VMRO-DPMNE e cila deri më tani këmbëngulte se nuk do ti votonte në asnjë lloj mënyre ndryshimet kushtetuese, ka ndërruar mendje. Pasi të shtunën lideri i partisë Hristijan Mickoski i tha “po” ndryshimeve kushtetuese sipas modelit kroat, model të cilin disa herë e kanë përmendur  edhe përfaqësuesit e shumicës, të dielën zëdhënësja e VMRO-së, Marija Miteva  në emër të partisë i dërgoi ofertë publike qeverisë që kur të ndryshohet kushtetuta  të zbatohet në tërësi modeli kroat për sa i përket preambulës.

Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-së

“Republika e Kroacisë është shtet anëtar i BE-së, kështu që ndryshimi i kushtetutës sipas të ashtuquajturit modeli kroat për VMRO-DPMNE-në është seriozisht i zbatueshëm dhe i pranueshëm. Me këtë Maqedonia do ta ndryshojë karakterin e saj multietnik në unitar dhe  Maqedonia do të jetë shtet i popullit maqedonas dhe shtet i pakicave kombëtare që jetojnë këtu”.

Ajo sqaroi se si do të dukej kushtetuta maqedonase, pra preambula, nëse do të merrej parasysh preambula kroate.

Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-së

“Republika e Maqedonisë është themeluar si shtet kombëtar i popullit maqedonas dhe shtet i pjesëtarëve të pakicave kombëtare: shqiptarë, turq, rom, vlleh, boshnjak etj., që janë shtetas të saj, dhe u garantohen  të drejtat kombëtare, në përputhje me normat demokratike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

Ndërkaq, zëdhënësi i LSDM-së, deputeti Darko Kaevski  i pyetur rreth qëndrimit të partisë për propozimin e Mickoskit  tha se VMRO dhe Mickoski duhet t’i japin propozimet përmes grupeve punuese.

Darko Kaevski, zëdhënës I LSDM-së

“Me fillimin e procesit në Kuvend do të hapet debat publik, përmes grupeve punuese ku Mickoski dhe VMRO-DPMNE do të japin propozimet e tyre. Ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës, ​​transparent për të arritur tek propozimet dhe zgjidhjet më të mira për ndryshimet në Kushtetutë, për të vazhduar rrugën europiane të vendit tone”.

Ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin më së vonti deri në nëntor. Në të kundërt sërish bllokohet procesi i eurointegrimeve.

/SHENJA/

 

 

 

MARKETING