(VIDEO) VMRO e LSDM akuzojnë njëra-tjetrën për rishikimin e buxhetit

(VIDEO) VMRO e LSDM akuzojnë njëra-tjetrën për rishikimin e buxhetit

Sot dita e 3 me radhë ku në Komisionin për Financim dhe Buxhet vazhdon debati i përgjithshëm për ribalancin e buxhetit.

Sipas deputetëve të pozitës, ky është ribalanci më i vështirë sepse bazohet në Buxhetin më të keq dhe më të vështirë. Ata theksuan se kur u propozua Buxheti, qeveria e kaluar tha se do të jetë zhvillimor dhe do të realizohen investimet kapitale, ndërsa tani, thonë ata, nuk duhet vetëm konsolidim fiskal, por edhe konsolidim i shtetit. Ndërsa, sipas deputetëve të opozitës, ky ribalanci është më i keqi ndonjëherë dhe bashkë me të nuk ka rritje të pagave dhe pensioneve, por edhe borxhi publik është rritur nga 58 në 68 %

Ditën e djeshme, deputetët debatuan rreth uljes së buxhetit për gjykatat dhe prokuroritë publike. Sipas deputetëve të opozitës, institucionet nga pushteti gjyqësor duhet të kenë buxhete më të mëdha, përderisa sipas deputetëve të pozitës këtë buxhet e kanë të tepërt me besim prej vetëm dy për qind te qytetarët.

Zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankullovski dje në seancën e komisionit parlamentar theksoi se kjo Qeveri synon të bëjë konsolidim financiar të gjithë ekonomisë, t’i kuadrojë të gjithë përfituesit e buxhetit dhe të kontrollojë shpenzimet joproduktive, do të vazhdojë rritjen e pagave dhe pensioneve, ndërsa siguroi edhe fonde nga ku mundi për funksionimin normal të shtetit.

Debati i përgjithshëm për Ribalancin e buxhetit zgjat maksimum tri ditë, ndërsa debati për amandamentet, për të cilin janë dorëzuar 58 amendamente, gjashtë ditë. Në ditën e parë të debatit, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska ka shpjeguar ribalancin, duke theksuar se është krijuar në përputhje me gjendjen aktuale në buxhet. Siç tha ajo , janë siguruar mjete për gjithçka që duhet të paguhet sipas ligjit.

Në Ribalancin e buxhetit, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 318,2 miliarëd denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 362,8 miliardë denarë. Rritja e BPV-së është projektuar në 2,1%, inflacioni në nivel prej 3,5 %, ndërsa deficiti buxhetor në 4,9 %.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING