(VIDEO) VMRO-DPMNE sot i shpalos emrat e ministrave të saj

(VIDEO) VMRO-DPMNE sot i shpalos emrat e ministrave të saj

VMRO-DPMNE sot i shpalos  emrat e ministrave të saj. Komiteti Ekzekutiv dhe ai Qendror i VMRO-së duhet të përcaktojnë kandidatët për ministra nga koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga partia e mandatarit Hristijan Mickoski. Këtë ai e ka bërë të ditur katër ditë më parë, ndërsa ka sqaruar se të martën, më 18 qershor, në Kuvend do të dorëzohet lista zyrtare e kandidatëve për anëtarë të qeverisë së re. Në qeveri do të marrin pjesë përfaqësues të koalicionit “Maqedonia juaj”, VLEN dhe nga partia ZNAM. Mandatati Mickoski në një deklaratë ditë më parë ka konfirmuar se opozitë do të jetë koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI, koalicioni “Ardhmëria Evropiane” e udhëhequr nga LSDM dhe partia E Majta. Edhe pse në opinion tashmë po përmenden emra konkretë për portofole të caktuara, propozimet zyrtare për ministra janë bërë të ditur për momentin nga Besa, ZNAM dhe Alternativa, të cilat janë përcaktuar nga organet e tyre partiake. Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, e cila është pjesë e koalicionit VLEN, vendosi në mbledhjen e së enjtes që të propozojë Fatmir Limanin – ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Besar Durmishin – për Ministër të Ekonomisë.  Alternativa ka zgjedhur Orhan Murtezanin për ministër të Çështjeve Evropiane, Lulzim Aliun për zëvendësministër të Arsimit dhe Shkencës dhe Safije Sadiki-Shahini  për zëvendësministre për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet me Komunitetin. Nga partnerët e tjerë në koalicionin “VLEN”, sipas deklaratave në media, pritet që kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Maxhiti, do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i ekologjisë, ndërsa Arben Taravari do të jetë ministër i Shëndetësisë. Ndërkaq, Lëvizja ZNAM, të premten përcaktoi kandidatët e saj me të cilët do të marrë pjesë në Qeveri – Igor Filkov është kandidati i tyre për ministër të drejtësisë, ndërsa Goran Minçev – kandidat për ministër të administratës publike.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

MARKETING