(VIDEO) VMRO-DPMNE: Qeveria futi një simpatizante të Putinit në grupin e ndryshimeve kushtetuese
Partia opozitare VMRO-DPMNE ka nisur një fushatë akuzash ndaj Qeverisë, duke shfrytëzuar një anëtare të grupit punues për ndryshimet kushtetuese. VMRO-ja e akuzon Jagoda Mitrevskën, profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar Sllav, se është simpatizante e presidentit rus, Vladimir Putin.
VMRO-DPMNE
“Ajo mburrej se ka marrë pjesë në fushatat elektorale të Rusisë dhe fotot e tregojnë atë duke pozuar me krenari para ambienteve dhe flamujve të partisë së Putinit. Një fotografi e tillë është publikuar në rrjetet sociale dhe po e dërgojmë bashkëngjitur këtij njoftimi”
Përveç komunikatës zyrtare të partisë, këtë çështje e ka komentuar sot edhe kreu opozitar Hristijan Mickoski, i cili ka thënë se keqja e kësaj është se qytetarët do të duhet që t’i paguajnë këta ekspertë.
Në anën tjetër, qëndrimi i drejtuesve të koalicionit qeveritar është se VMRO-ja, duke kundërshtuar ndryshimet kushtetuese është barrikaduar kundër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në këtë mënyrë, sipas pushtetit, VMRO-ja bëhet aleate e presidentit rus Putin, i cili pas agresionit në Ukrainë, tashmë konsiderohet si armik i vlerave perëndimore. /SHENJA/