(VIDEO) VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e ministrit Osmani, e akuzon se foli vetëm shqip

(VIDEO) VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e ministrit Osmani, e akuzon se foli vetëm shqip

VMRO-ja ka kërkuar nga organet kompetente që të kërkojnë përgjegjësi penale ndaj ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, për shkak se e akuzojnë se ka përdorur vetëm gjuhën shqipe gjatë takimit zyrtar me shefin e diplomacisë spanjolle. VMRO-ja kërkon nga Osmani që të dorëhiqet nga pozita Ministër i Jashtëm. Sipas VMRO-së kjo është më e pakta që mund ta bëjë pas këtij veprimi joshtetërore dhe nënçmues për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Maria Miteva, zëdhënëse e VMRO-së

“Kërkojmë përgjegjësi penale për Osmanin, organet kompetente menjëherë të ngritin procedurë dhe përfundimisht në vend të ngrihet procedurë adekuate për vepra që cenojnë imazhin e vendit”

VMRO-ja thekson se Qeveria LSDM-BDI dhe Bujar Osmani si ministër i Jashtëm, shkelin vlerat kombëtare, duke i bërë thirrje Osmanit të nis ta respektojë vendin dhe në komunikimet ndërkombëtare të prononcohet në gjuhën zyrtare maqedonase.

Ndërkohë, ka reaguar Ministria e Jashtme, e cila thekson se VMRO-ja po krijon tensione dhe ndarje etnike në shoqëri. Ministria i ka ftuar përfaqësuesit opozitarë që ta shikojnë mirë videon e konferencës, ku shihet se ministri Osmani ka folur në të dyja gjuhët zyrtare.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut

“Në çdo ngjarje, ministri i drejtohet publikut vendas në dy gjuhët zyrtare të përcaktuara me Kushtetutë dhe Ligjin për Gjuhët, me ç’rast Ministria ofron përkthim të duhur për mediat e pranishme. Rikujtojmë se përdorimi i gjuhëve zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një çështje e rregulluar me ligj, ku është përcaktuar saktësisht përdorimi i gjuhëve zyrtare të vendit dhe duhet të zbatohet në përputhje me rrethanat, pa qenë subjekt i kalkulimeve politike”.

Ministria ka vlerësuar se duke pasur parasysh se ngjarjet dhe konferencat për media janë çështje publike, i bëjmë thirrje VMRO-DPMNE-së që t’i mbështesë pretendimet me ndonjë provë, regjistrim apo incizim; në të kundërt të tregojnë respekt për vlerat që përfaqësojnë dhe duhet të kërkojnë falje publike për krijimin e panevojshëm të konfuzionit në opinion mbi baza etnike. /SHENJA/

 

MARKETING