(VIDEO) VMRO dorëzoi në Kuvend Projektligjin për Amnisti për të dënuarit për 27 Prillin

(VIDEO) VMRO dorëzoi në Kuvend Projektligjin për Amnisti për të dënuarit për 27 Prillin

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit ka dorëzuar sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë Projektligjin për amnesti të personave të dënuar për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017. Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar i VMRO-DPMNE-së tha se ata po e dorëzojnë këtë Projektligj dhe është rezultat i iniciativës dhe angazhimit të përbashkët të avokatëve Janaki Mitrovski dhe Dragan Peshevski dhe të gjithë grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.

Nikolla Micevski, kordinator i grupit parlamentar i VMRO-DPMNE

“Është shumë e rëndësishme të theksohet se ky Projektligj është vetëm vazhdimësi e Ligjit të mëparshëm për Amnestinë i cili është miratuar në dhjetor 2018, por me një korrigjim të madh dhe thelbësor, që është tejkalimi i selektimit dhe drejtësisë selektive që ka rezultuar nga ligji i miratuar në vitin 2018. Theksoj se ky ligj do të mbulojë pa përjashtim të gjithë personat e dënuar për ngjarjet e 27 prillit”.

Përndryshe më 27 prill të vitit 2017, gjatë zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, pati tensione verbale mes deputetëve të shumicës së krijuar dhe atyre të VMRO-DPMNE-së. Më pas një turmë e protestuesve dhe persona të maskuar hynë në Kuvend dhe sulmuan fizikisht deputetët e pranishëm në pres sallën e Kuvendit. Më së keqi pësoi ish kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili nga goditjet kishte humbur vetëdijen, ndërsa u përgjakën edhe shumë deputetë të LSDM-së, përfshirë këtu edhe ish kryetarin e kësaj partie, Zoran Zaev.

Për ngjarjet e 27 prillit 31persona u akuzuan  për veprën “rrezikim terrorist të rendit kushtetues” dhe dy të tjerë për nxitje. Ndërsa si organizatorë të 27 prillit u akuzuan ish-kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski I cili  u dënua me 6 vite dhe gjashtë muaj burg, dhe ish ministrat për Transport dhe Lidhje dhe Arsim, Mile Janakieski dhe Risto Spirovski të cilët u dënuan me nga 6 vite e tre muaj burg. Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING