(VIDEO) VLEN: Djali i Blerim Bexhetit merr kontratë të dyshimtë nga “Higjiena Komunale

Koalicioni VLEN ka vazhduar të publikojë prova për atë që e quan “skema kriminale” e koalicionit mes Danella Arsovskës, BDI-së dhe Levicës. Në një konferencë për shtyp, VLEN paraqiti dokumente që, sipas tyre, dëshmojnë përfshirjen e familjarëve të funksionarëve publikë në kontrata të dyshimta me Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale – Shkup”.
MARKETING
Në qendër të akuzave është një kontratë e lidhur më 25 shkurt 2025, me numër 57254, mes NP “Higjiena Komunale” dhe kompanisë “Veda DOOEL”, në pronësi të Valon Bexhetit – djalit 18-vjeçar të kryetarit të Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti. Kontrata ka vlerë 775.000 denarë (rreth 12.500 euro) dhe lidhet me “këshilla për mbrojtjen e mjedisit jetësor”.
Sipas VLEN, kjo shumë është paguar pa asnjë dëshmi për realizimin e shërbimit, ndërsa nuk janë përcaktuar as objektivat apo rezultatet e qarta të kontratës.
Skema, sipas opozitës, përsëritet me një tjetër kontratë të njëjtës vlerë dhe të njëjtës ditë, kësaj here në emër të Besar Saqipit – i afërm i drejtorit të NP “Higjiena Komunale”, Sabahudin Rustemi. Përshkrimi i shërbimit është pothuajse identik: “zbatim i teknikave të reja për mbrojtjen e mjedisit jetësor”.
“Brenda një dite, janë shpërndarë 1.550.000 denarë, sa buxheti vjetor për kontejnerë të rinj në disa lagje të Shkupit,” deklaron VLEN.
Kërkesa për hetim institucional
VLEN ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet shtetërore:
-
Prokuroria Publike: të hapë procedurë për shpërdorim të detyrës dhe pastrim parash;
-
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit: të shqyrtojë rastin për konflikt interesi dhe nepotizëm;
-
Ministria e Punëve të Brendshme: të nisë hetim financiar për të gjitha pagesat ndaj “Veda DOOEL” dhe lidhjet me figurat publike të përmendura;
-
Qyteti i Shkupit: të ndërpresë kontratat dhe të shkarkojë drejtuesit e përfshirë.
-
Ultimatumi për Arsovskën
VLEN i ka drejtuar një ultimatum kryetares së Shkupit, Danella Arsovska: “T’i shkarkoni drejtorët dhe të mbështesni hetimin, ose të mbeteni bashkëpërgjegjëse në vjedhjen e fondeve publike.”
Sipas tyre, këto kontrata janë vetëm fillimi. VLEN ka premtuar se do të publikojë çdo ditë dokumente të reja që zbulojnë ndërtimet pa leje, faturat fiktive dhe punësimet partiake që, sipas tyre, karakterizojnë këtë koalicion.