(VIDEO) VLEN takim me afaristët, Mexhiti: Komunat të jenë në shërbim të bizneseve

Kanë vazhduar edhe sot, takimet e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perendimore, me përfaqësuesit e partive politike në prag të zgjedhjeve lokale, takime në të cilat përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar rregullimin e problemeve lokale me të cilat përballen në përditshmëri. Pas, LSDM-së dhe VMRO-së, kreu i OEMVP-së, Nuhi Aliu ka takuar përfaqësuesit e VLEN-it me një përbërje të zgjëruar në të cilin veç krerëve të këtij koalicioni kishin ardhur edhe kandidat të shumtë për kryetar komunash. Aliu tha se me përfaqësuesit e VLEN ka diskutuar për problematikat e zonës së Vizbegut, Sarajit po edhe problemeve tjera të cilat përballen bizneset.
NUHI ALIU, U.D KRYETAR I OEMVP-SË
“Ne jemi të vetëdijshëm se çfarë rruge kemi, me çfarë problematikash ballafaqohemi çdo ditë. Kemi edhe raste ku ndonjëherë paraqiten incidente në komunikacion përshkak të gropave dhe rrugës që nuk është si duhet, funksionale. Andaj prioritet të veçantë do t’i kushtojnë përfaqësuesit që janë edhe në nivel qëndror edhe në nivel lokal.
Në emër të koalicionit VLEN, foli kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti. Ai tha se si koalicion, do t’i trajtojnë me prioritet problemet e kësaj zone të rëndësishme për ekonominë e vendit, në të cilën punojnë qindra persona.
IZET MEXHITI, KANDIDAT I VLEN-IT PËR ÇAIRIN
“Këtu i duhet, një kryetar i ri i Qytetit të Shkupit, që bashkë me Qeverinë dhe me komunat që janë përreth ta ndihmojnë zonën e cila më së shumti e mbush arkën e shtetit, me tatimet që paguan dhe me mijra punëtorë që ka rruga Hasan Prishtina, rruga e Kaçanikut, krejt këto duhet të jenë të rikonstruuara dhe duhet të jenë në funksion të zonës ekonomike”.
Problematikat e njëjta dhe premtime se të njejtat do të rregullohen ka dhënë të hënën edhe kryeministri Hristian Mickoski i cili takoi përfaqësues të Odës Ekonomike bashku me kandidatët e VMRO-së për kryetarë. Se këto probleme do të zgjidhen nëse ata fitojnë në qytetin e Shkupit, ka premtuar edhe Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Mevludin Imeri /SHENJA/