(VIDEO) VLEN prezantoi ministrat dhe punën që do të bëjë në Qeveri

(VIDEO) VLEN prezantoi ministrat dhe punën që do të bëjë në Qeveri

Një ditë para se të nisë seanca për votimin e qeverisë së re, liderët e partive të koalicionit VLEN, japin premtimet e tyre për punën që thonë se do ta bëjnë të zgjedhuri e tyre nëpër institucione. Por, nuk lanë pa përmendur edhe të bëmat e pushtetit të kaluar.

Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe ministër i ardhshëm i Ekologjisë Izet Mexhiti premtoi se ai si ministër nuk do të luaj futboll në ministri dhe as nuk do të merret me bizneset e Llotarisë dhe Soravisë.

Izet Mexhiti, kryetar i LD-së

“Nuk jam politikan i fjalëve të mëdha. Por, fjalën e dhënë e mbroj dhe luftoj që ta realizoj deri në fund. Prandaj sot, shumëkush nga rivalët e mi do të merret me atë se çfarë do të bëj unë si ministër. Por si fillim, po u them se çfarë nuk do ta bëj unë si ministër: Nuk do të luaj futboll me ministrat në kabinet, nuk do të dal me valixhe përpara institucioneve publike, nuk do të merrem me bizneset e Llotarisë e Soravisë”.

Sapo të marrë funksionin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari premtoi se do të shkarkoj gjithë drejtorët ekonomik të spitaleve dhe do të merret me problemin e sallave të operacionit në Klinikën “Nënë Tereza”.

Arben Taravari, VLEN    

“Si ministër i ardhshëm i Shëndetësisë mendoj se kemi disa zjarre që duhet të shuhen. Flas për disfunksionimin e kompresorit në sallat e operacionit në pavionin e kirurgjisë në  Qendrën Klinike ‘Nënë Tereza’. Prej ditës së parë, nëse ëhtë ajo dita e hënë, do të shkarkoj gjithë drejtorët ekonomik…Digjitalizimi i shëndetësisë ku do të përfshihet i gjithë sistemi shëndetësor publik dhe privat. Rifillimin e punimeve për përfundimin e Spitalit të Kërçovës dhe bashkimin e Qendrave Klinike nga viti i ardhshëm”.

Kryetari i Lëvizjes BESA dhe kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami u zotua se do të bëjë decentralizim të plotë lokal. Ndërsa akuzoi ministrat e BDI-së se kanë bllokuar punët e kryetarëve të komunave, që nuk kanë qenë nga radhët e tyre.

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa  

“Në programin e VLEN edhe të Qeverisë, i cili së shpejti do të miratohet në Kuvend, nga buxheti i shtetit, vetëm për vitin 2024, do të ndahen mbi 100 milionë euro për komunat, me qëllim zhvillimin sa më të shpejtë komunal dhe realizimin urgjent të projekteve më të domosdoshme për qytetarët e komunave”.

Ushtrues detyre kryetar i Alternativës Bekim Sali u shpreh se lajm i mirë për qytetarët është ky rrotacion politik, i cili siç tha, nënkupton rrotacion të jetës reale të qytetarëve.

Bekim Sali, ushtrues detyre, kryetar i Alternativës  

“Kjo pjesëmarrje në pushtetin ekzekutiv do të rezultoj edhe në nivelet e tjera të pushtetit dhe unë jam i sigurtë se kjo si rezultat përfundimtar do të ketë një shoqëri më të avancuar në të gjitha fushat e jetës. Ndërsa, për shqiptarët ky rrotacion politik nënkupton edhe rrotacion në jetën e tyre reale”.

Koalicioni VLEN shpalosi programin qeveritar dhe prezantoi ekipin ministror të pushtetit që do ta ndajnë me VMRO-DPMNE-në dhe ZNAM-in.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

MARKETING