(VIDEO) VLEN: Mos na sfidoni me përdorimin e simboleve

(VIDEO) VLEN: Mos na sfidoni me përdorimin e simboleve

Do të largohemi nga qeveria, nëse përsëri ministrat e VLEN-it do ta vendosin flamurin shqiptar në hapësirat qeveritare. Kështu ka kërcënuar kryetari i partisë “Znam” Maksim Dimitrievski, i cili është pjesë e qeverisë të sapo formuar, VMRO-VLEN-ZNAM. Dimitrievski në një emision në Kanal 5, ka reaguar pas takimit të parë koordinues të ministrave të VLEN-it në kabinetin e zv/kryeministrit të parë Izet Mexhiti, ku në atë fotografi shihet se janë të vendosur tre flamuj, ai i Maqedonisë, flamuri shqiptar dhe i BE-së.

MAKSIM DIMITRIEVSKI, KRYETAR I PARTISË ZNAM

Ky është ai narrativi BDI që vazhdon në kontinuitet. Nëse vazhdon qasja e tillë nuk do të jemi pjesë e Qeverisë dhe do të dalim”.

Për këtë deklaratë të Dimitrievskit, kanë reaguar nga VLEN. Sipas tyre, kur është në pyetje flamuri shqiptar, ata kërkojnë që mos të sfidohet përdorimi e simboleve të identitetit shqiptar, ashtu siç nuk dëshirojnë që të sfidohen simbolet e identitetit maqedonas.

VLEN

Nuk shohim asgjë të kundërshtueshme në koordinimin e rregullt të ministrave tanë për të siguruar efikasitet në zbatimin e zotimeve programore. Këtu mund të ftojmë edhe ministrat e ZNAM-it në koordinimin e radhës, që të binden për këtë që themi. Sa i përket flamurit shqiptar, ne kemi vetëm një mesazh, mos sfidoni përdorimin e simboleve të identitetit shqiptar, ashtu siç nuk dëshironi që të sfidohen simbolet e identitetit maqedonas. Në fund të fundit, angazhimet për mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëjetesë me shqiptarët nuk duhet të vlejnë vetëm gjatë fushatave për zgjedhjet lokale”.

Nuk është Dimitrievski ai i cili përcakton se kur dhe si do të përdoret flamuri kombëtar. Kështu i ka reagur këtij të fundit, njëri ndër krerët e VLENI-it, gjegjësishtë kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

BILALL KASAMI,KRYETAR I LËVIZJES BESA

Nuk është Dimitrievski ai i cili përcakton se kur dhe si do të përdoret flamuri kombëtar. Uroj që kryetari i ZNAM, Dimitrievski të dal nga retorika parazgjedhore dhe të kuptoj se tani jemi pjesë e qeverisë dhe duhet të punojmë për qytetarët”.

 

Reagimet nuk kanë munguar as nga opozita shqiptare. Kryetari i Partisë Demoraktike Europiane, Arjanit Hoxha, i cili bënë pjesë në Frontin Europian, ka theksuar se Maksim Dimitrievski i ‘qortoi’ vazalët e tij të VLEN se nuk guxojnë të përdorin flamurin shqiptar në zyrat e Qeverisë.

ARJANIT HOXHA, KRYETAR I PDE-së

Se kjo shumicë qeverisëse funksionon mbi bazën e vazalitetit të humbësve te blloku shqiptar ndaj shefave të tyre të VMRO-ZNAM dëshmon edhe deklarata e Maksim Dimitrievskit i cili “qortoi” vazalët e tij të VLEN se nuk guxojnë të përdorin flamurin shqiptar në zyrat e Qeverisë”.

Reagim ka bërë edhe Sekretari i Përgjithshëm të Aleancës për Shqiptarët, Krenar Lloga. Ai thotë se askush nuk mund t’ua ndalojë qytetarëve shqiptarë të RMV-së përdorimin e flamurit të tyre kombëtar e aq më pak siç thotë, Dimitrievski, i cili sipas Llogës, ai mund të lejojë ose të ndalojë flamurin në shtëpinë e tij private.

KRENAR LLOGA,SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT

Qeveria është shtëpia e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, rrjedhimisht edhe 1/3 së popullsisë së përgjithshme, në këtë rast shqiptarëve. Secili komunitet mund të përdorë flamurin e tij e që janë pjesë preambulës së këtij shteti, si ai turk, boshnjak, vlleh, rom, egjiptian etj. Flamuri shtetëror i RMV-së respektohet nga të gjithë andaj edhe të gjithë duhet të respektojnë simbolet respektive”.

Ndërkohë, zëdhënësi i partisë ZNAM, Nikolla Memov, sot në një konferencë për media, tha se askush më nuk do të mund ta kërcënojë qeverinë, pasi ata si parti janë garanci për partnerin më të madh qeverisës. Ai tha se do të reagojnë në, siç thonë ata, shkelje të dispozitave ligjore për përdorimin e gjuhëve dhe flamujve.

NIKOLLA MEMEDOV, ZËDHËNËS I ZNAM

ZNAM do të jetë garanci që asnjëherë më, askush nuk do të mund ta kërcënojë, me propozime joadekuate partnerin më të madh në qeveri, respektivisht qeverinë, dhe që do të shkojnë në dëm interesave kombëtare dhe shtetërore maqedonase. ZNAM do të jetë korrektues në Qeveri, sikur me rastin e betimit të kryetarit të Kuvendit, do të reagojë edhe në të gjitha rastet tjera kur do të ketë prishje të dispozitave të Ligjit për Përdorim të Gjuhëve dhe flamujve të bashkësive etnike”.

I pyetur se a do të largohen nga Qeveria nëse përsëritet e njëjta procedurë, Memov ka theksuar se këto janë procese dhe do të iniciohen brenda koalicionit qeveritar. Ai theksoi se nuk e kontestojnë faktin që mund të ketë koordinim të ministrave, politikanëve në Qeveri dhe Kuvend, por, siç tha ai, kjo nuk duhet kuptuar si provokim.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING