(VIDEO) VLEN: BDI e shiti Tetovën, kërkon shpëtim nga Levica. AKI: Liderët e VLEN-it veprojnë përmes butonit nga Pallati i Bardhë
Në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 2 nëntor, tensionet ndërmjet koalicioneve shqiptare në vend janë përshkallëzuar ndjeshëm. Koalicioni VLEN ka reaguar për siç thonë ata, pazarin e AKI-së me Levicën për Tetovën.
Аta deklarojnë se Tetova nuk është mall pazari, për ta shitur BDI-ja. Shtojnë se Bajram Rexhepi u ul në tavolinë dhe u fotografua me ata që fyejnë gjithçka që është shqiptare, vetëm për të siguruar një grusht vota për shpëtim politik.
Nga VLEN pyesin nëse “strategjia kombëtare” e BDI/AKI-së është të kërkojë shpëtim te partia që fyen shqiptarët dhe Kosovën?
VLEN
“Me çfarë morali del Bajram Rexhepi para tetovarëve, pasi ka shtrënguar duart me anti-shqiptarët e Apasievit? Çfarë pazari ka bërë në këmbim të votave të Levicës në Tetovë? Tetova nuk është mall pazari, andaj më 2 nëntor, tetovarët do të flasin me një zë të qartë: PO për Bilall Kasamin. Kjo është fytyra e vërtetë e ‘patriotit’ të BDI-së, që për një copë pushtet i shtrin dorën Levicës. Ky është pazari më i pistë që ka parë Tetova. Një ‘patriot’ që lyp ndihmë nga Levica për të rrëzuar një shqiptar.
Me akuza kanë dalë edhe nga Aleanca Kombëtare për Integrim. Nga ky koalicion akuzojnë se liderët e VLEN-it veprojnë përmes butonit nga Pallati i Bardhë, duke aluduar në selinë e VMRO-DPMNE-së.
Nga AKI vlerësojnë se liderët e koalicionit VLEN po e humbin çdo grimë të pavarësisë politike, duke u shndërruar në zëdhënës dhe ekzekutorë të urdhrave që vijnë nga selia e VMRO-së.
Shtojnë se Izet Mexhiti tashmë e ka braktisur edhe kandidatin e vet në Bërvenicë, vetëm pse ai ua prish planet për nënshtrimin e shqiptarëve përmes VMRO-DPMNE-së,
AKI
“Ata që dikur flisnin për dinjitet e përfaqësim, sot përulen para Mickoskit, ndërsa fitoren e Piros ua çendis VMRO-DPMNE dhe ua vulos me certifikata zgjedhore. Opozita shqiptare do të vazhdojë të mbrojë votën, dinjitetin dhe pavarësinë politike të shqiptarëve – pa tutorë dhe pa butona. Kjo është pasqyra reale e një koalicioni që nuk udhëhiqet nga idealet, por nga butonat që shtypen në Pallatin e Bardhë”.
Përplasjet e ashpra dhe akuzat e ndërsjella, kanë shoqëruar të gjithë fushatën e zgjedhjeve lokale, ata po intensifikohen ndërsa afrohet dita e votimit, duke reflektuar një garë të ngushtë dhe polarizuese në mesin e subjekteve politike shqiptare.
Mevludin Imeri /SHENJA/

