(VIDEO) VLEN: Ahmeti përçarës, Taravari viktima e tij e fundit

Edhe sot kanë vazhduar përplsjet mes partive shqiptare. VLEN ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim, respektivisht liderin e saj se po përçan shqiptarët për nevoja personale, për të shpëtuar veten dhe pasurinë familjare. Sipas VLEN-it, Arben Taravari është viktima e fundit e përçarjes së Ali Ahmetit.
MARKETING
Veç Ahmetit, nga VLEN kishin porosi edhe për Arben Taravarin
VLEN
“Viktima e fundit është Arben Taravari, i cili nga një lider që e quante BDI-në ‘kancer’ dhe Ali Ahmetin ‘të korruptuar’, tani negocion me atë njeri dhe atë parti. Taravari u mashtrua nga premtimet e rreme: mbështetje në zgjedhjet lokale, ‘përkrahje të pakufizuar’ dhe privilegje personale. Por, historia tregon se kushdo që ka bërë pazar me Ahmetin, ka mbetur pa besim, pa rezultate dhe pa të ardhme, ndërsa familja Ahmeti bëhet gjithnjë e më e pasur”.
VLEN I dërgon mesazh Arben Taravarit se siç thonë ata hapi i parë drejt Ahmetit është hapi i fundit në kredibilitetin para qytetarëve.
Duke injoruar akuzat e VLEN, BDI-ja ka akuzuar koalicionin Qeveritar se me ta në Qeveri përfaqësimi i shqiptarëve është nën nivelin e duhur. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se këtë javë në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë së Veriut janë angazhuar 14 të punësuar të rinj – të gjithë maqedonas – dhe asnjë shqiptar.
Sipas integristëve ky disbalanc tronditës nuk është i rastësishëm, por simptomë e një dukurie më të gjerë dhe shqetësuese – përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet e shtetit.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Më shqetësues është fakti që për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, asnjë nga pozitat udhëheqëse – as ajo e drejtorit, e as ajo e zëvendësdrejtorit – nuk i takon ndonjë përfaqësuesi nga komuniteti shqiptar. Një nga institucionet kyçe për kujtesën dhe identitetin shtetëror është shndërruar plotësisht në një bastion monoetnik”.
Kjo nuk është hera e parë që partitë politike shqiptare përplasen në distancë. Pas largimit të ASH-së nga Qeveria, përplasjet më të mëdha lidhen me çështjen e legjitimitetit, opozitarët akuzojnë se VLEN me 9 deputet nuk përfaqëson shqiptarët, ndërkaq nga VLEN thonë se më së paku 4 ose 5 deputet nga Fronti Europian pritet të kalojnë në VLEN.
Mevludin Imeri /SHENJA/