(VIDEO) Viti i ri shkollor, nxënësit përballen me mungesë të librave

Tashmë një javë pas fillimit të vitit të ri shkollor dhe ende mijëra nxënës po zhvillojnë mësimin pa fondin e plotë të librave. Mungesë të teksteve bazë po i shqetëson edhe prindërit. Nga vizitat tona në disa shkolla, mësuam se vetëm rreth 60% janë të furnizuara shkollat me libra, ndërsa janë në pritje të pjesës tjetër. Ndonëse, drejtorët e shkollave nuk pranonin për të dhënë deklarata, disa nga biblotekistët kanë dhënë disa informata, ndonëse nuk pranonin që të flisnin para kamerave. Bibliotekistja e shkollës fillore ‘Penko’, njoftoi se shkolla është e furnizuar me libra vetëm 60% ndërsa klasat e 7-ta janë më të goditurat, pasiqë shumë nxënës kanë vetëm librin e një lënde atë të gjeografisë, sepse pritet planprogrami i ri, ndërsa për pjesën tjetër thjesht nuk ka tekste.
Bibliotekistja e shkollës fillore ‘Ismail Qemali’, po ashtu informoi që janë në pritje të librave të ri me planprogramin e ri, theksoi që me gjuhën shqipe, maqedonishten, gjuhen angleze dhe gjuhën gjermane ka filluar distribuimi, ndërsa librat e historisë i kanë deri për klasat e 7, pasi që me planprogramin e ri klasa e 8 dhe 9 nuk kanë lëndë të historisë. Ajo shtoi se si mungesë e librave për këtë periudhë, mësuesit po e zhvillojnë mësimin me libra elektornik. Ndërkaq, edhe shkolla fillore ‘7 Marsi’ është e furnizuar me libra pothuajse për 50%, edhe ata theksuan që të gjithë librat mungojnë tek klasat e 7-ta për shkak që pritet të fillojnë me planprogram të ri, ndërsa për klasat e 8-ta është bërë porosia për 80% të tyre dhe pritet furnizimi i tyre brenda javës.
Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë prezantit të udhëzuesit të ri për futjen e inteligjencës artificiale, pranon se ka probleme me tekste të shumëfishta shkollore, për klasa të shumëfishta, dhe nxënësit e klasës së tetë, të cilët ende mësojnë sipas kurrikulës së vjetër
Ajo shpjegoi gjithashtu pse një libër shkollor i ri historie nuk është shtypur për të gjithë gjeneratën, dhe siç tha ajo arsyeja është se Konkursi për kurrikulat e reja të klasës së tetë do të shpallet brenda 12 deri në 14 ditësh.
Vesna Janevska, Ministrja e arsimit dhe shkencës
“Unë besoj se është një humbje e panevojshme e parave të buxhetit të prodhohet një libër shkollor për klasën e tetë sipas Programit të vjetër, kur pas dy javësh do të kemi një Program të ri dhe një libër shkollor të ri për klasën e tetë. Përveç kësaj, ai libër shkollor, i cili dyshohet se po shpërndahet në shkolla, nuk është një libër shkollor i miratuar”.
E pyetur se sa para u shpenzuan këtë vit për tekste shkollore, ministrja Janevska u përgjigj se shuma totale si për tekstet e reja ashtu edhe për rinovimin e teksteve të vjetra është 11 milionë euro.
Anida Murati /SHENJA/