(VIDEO) Videoja shokuese, policia merr në pyetje vajzat që rrahën dhe incizuan shoqen

Policia i ka thirrur në stacion policor vajzat e mitura dhe prindërit e tyre, pas një videoje që u shpërnda në rrjete sociale, në të cilën shiheshin tre vajza se si e godisnin një vajzë tjetër, ndërsa gjithë ngjarjen e ka filmuar po ashtu një vajzë, me telefon. Ministria e Brendshme ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ta për veprat penale “Dhunë” dhe “Incizim pa leje”, pasi të dokumentohet rasti. Gjithashtu, MPB bën me dije se rastin e ka paraqitur babai i vajzës që është sulmuar, pasi ka parë videot në internet, sepse vajza e tij nuk i ka treguar për ngjarjen, nga frika se mos sulmohej sërish.
Ministria e Punëve të Brendshme
“SPB Shkup e ka zbardhur rastin me sulmin ndaj një vajze në Çair, të kryer nga vajza të mitura, të cilat e kanë filmuar rastin dhe e kanë publikuar në rrjete sociale. Pas ndërmarrjës së veprimeve nga ana e zyrtarëve policor, është vërtetuar se më 20.06.2025, rreth orës 14:00 në rrugën ‘Pavle Iliq’ në Shkup, në afërsi të një kafeterie, 11 vjeçarja është goditur fizikisht nga 3 vajza dhe një tjetër vajzë e ka incizuar rastin me telefon”.
Pasi videoja e këtij rasti është publikuar këto ditë në rrjete sociale dhe në një portal, shtojnë nga MPB, më 1 shtator babai i 11-vjeçares së sulmuar e ka paraqitur rastin në stacion policor.
Videoja fillestare që qarkullonte nëpër rrjete sociale, nuk kishte të fshehur identitetin e vajzave dhe imazhi dhe veprimet e tyre shiheshin shumë qartë.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/